Sport Shqiptar

Giresse: Nuk mund të them se është finale, por na duhet fitore

Përzgjedhësi i Kosovës ka folur në konferencë për media para ndeshjes me Greqinë, duke theksuar mungesat.

Alain Giresse tha se ndeshja ndaj Greqisë nuk është përcaktuese për vendin e parë në grup, edhe pse një fitore eventuale e grekëve do ta rriste diferencën në gjashtë pikë dhe shpresat do të zbeheshin dukshëm për ta fituar grupin.

Por, ai e cilëson duelin si tejet të rëndëishëm pavarësisht se potencon se nuk është një finale.

Pamje nga konferenca

“Është një ndeshje e vështirë dhe Greqia është një kundërshtar i fortë. Nuk mund të them se kjo ndeshje është një finale, por patjetër që është një ndeshje e madhe. Dhe një fitore eventuale në këtë takim sigurisht që do të rriste ambiciet tona ta fitojmë grupin”, tha Giresse.

Francezi përmendi se do të ketë shumë mungesa për duelin vendimtar ndaj Greqisë, duke shtuar se obligim i të gjithëve është që ta përfaqësojnë Kosovën sa më mirë që është e mundshme.

“Deri më tani kemi pasur shumë probleme me lëndime e suspendime. Megjithatë, duhet të vazhdojmë dhe të tregojmë lojë të mirë në ndeshjen e së dielës. Kemi pasur probleme por shpresoj të mos i kemi në ndeshjet tjera të radhës”.

Pamje nga konferenca

“Ne jemi këtu me këtë numër të futbollistëve që kemi. E kemi obligim që ta përfaqësojmë Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme me këtë grup të lojtarëve që kemi në dispozicion”, ka thënë Giresse.

Lotarët: Betim Fazliji, Lirim Kastrati dhe Ibrahim Dreshevic do të mungojnë shkaku kartonëve të marrë në ndeshjen e para, teksa Edon Zhegrova mungon shkaku i lëndimit.

Përzgjedhësi ka thënë se nëse ftohen më shumë se 23 apo 24 lojtarë, mund të sjell probleme në skuadër, pasi shumë duhet të përfundojnë në tribuna.

“Kemi mungesa të mëdha dhe shumë të rëndësishme për ne. Ata nuk janë me ekipin dhe nuk mund t’i përdorim. E rëndësishme është që ta komponojmë një ekip me këta futbollistë që i kemi dhe të arrijmë të marrim rezultat pozitiv”.

Pamje nga konferenca

“Dua të them që të gjitha ekipet kanë pas 23 apo 24 futbollist sikurse ne. Nga ky kontingjent kemi përdorur 17 futbollistë dhe gjatë këtij grumbulli ne kemi pasur probleme, jo vetëm me lëndimet, por edhe me suspendimet dhe nuk ka qenë e lehtë të zëvendësohen futbollistët që kanë munguar”.

“Nëse flasim për lëndimet dhe mungesat eventuale është normale që të ftohen lojtarët e rinj pasi do të kenë kohë të stërviten me ekipin. Por nëse flasim për të ftuar 30 lojtarë, kjo mund të krijoj problem pasi disa lojtarë mund të përfundojnë në tribuna dhe kjo mund të sjell probleme në ekip”, ka thënë ai.

Përndryshe, ndeshja e së dielës luhet në qytetin grek të Volosit, në “Panthessaliko Stadium” me fillim nga ore 20:45. /Shqip.com