Sport Shqiptar

Giresse: E kam bërë të pamundurën për ta përgatitur ekipin në mënyrën më të mirë të mundshme

Përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse ka folur në prag të ndeshjes kundër Rumanisë, e cila luhet të premten mbrëma në Prishtinë dhe i takon kualifikimeve për “Euro 2024”.

Kjo ndeshje i takon Grupit I kualifikues, ndërsa Giresse ka pranuar se është shumë e rëndësishme për “Dardanët”. Madje, ai ka shtuar se edhe lojtarët e Kosovës e kanë këtë parasysh dhe beson se ata do të jenë maksimalisht të motivuar për ta mposhtur Rumaninë.

“Lojtarët janë të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe në situata të tilla nuk duhet ta vendosim presionin mbi ata. Besoj se ata do të futen në fushë me motivimin më të madh për ta fituar ndeshjen”, tha Giresse, i cili nuk do ta ketë në dispozicion as Elbasan Rashanin e as Edon Zhegrovën.

“Kemi mungesa të rëndësishme, pasi Rashani është larguar nga stërvitja kurse Zhegrova nuk është stërvitur dhe po presim të rikuperohet. Shpresojmë që të jetë gati për ndeshjen e dytë”.

Giresse ka vlerësuar lart Rumaninë, por ka thënë se ai e ka analizuar mirë dhe ka përgatitur ekipin për të marrë fitoren e parë në këto kualifikime.

“Mund të them se Rumania është ekip shumë i mirë, ka lojtarë individual që mund ta bëjnë dallimin. Kështu që, e gjitha çka mund të them është se e kam bërë të pamundurën për ta përgatitur ekipin në mënyrën më të mirë të mundshme për këtë ndeshje, të cilën duam ta fitojmë”, ka shtuar Giresse.

/Shqip.com