Lajme

Gërvalla viziton komunat arbëreshe të Kalabrisë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka vizituar komunat arbëreshe në rajonin e Kalabrisë.

Ajo është takuar me kryetarin e Komunës Shën Sofia, Daniele Attanasio Sisca, kryetarin e Komunës Strigari, Damiano Baffa dhe atë të Shën Mitrit, Ernesto Madeo, i cili njëherit është edhe Komisioner i Fondacionit të Institutit Rajonal të Komunitetit arbëresh të Kalabrisë.

“Zëvendëkryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla bashkë me Zëvëndësministren, Liza Gashi dhe Ambasadoren e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim ka vizituar komunat arbëreshe në rajonin e Kalabrisë duke zhvilluar takime të ndara me kryetarin e Komunës Shën Sofia, Daniele Attanasio Sisca, kryetarin e Komunës Strigari, Damiano Baffa dhe atë të Shën Mitrit, Ernesto Madeo, i cili njëherit është edhe Komisioner i Fondacionit të Institutit Rajonal të Komunitetit arbëresh të Kalabrisë.”

Në komunikatë të MPJD’së thuhet se Gërvalla ka “vlerësuar lartë rolin historik të këtyre komunave në ruajtjen dhe promovimin e identitetit, kulturës dhe gjuhës së tyre përgjatë më shumë se 500 vite”.

“Identifikimi i nevojave dhe mundësive reale për bashkëpunim në projekte konkrete mes Republikës së Kosovë, përkatësisht komunave të Kosovës dhe komunave arbëreshe në Kalabri, në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore si dhe rritjes së bashkëpunimit në shkëmbime tregtare mes dy vendeve.”

Gërvalla vizitoi edhe shtëpinë e themeluesit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Jeronim De Rada, shtëpinë e poetit Zef Serembe,  kishën dhe kolegjin e  Shën Adrianit, kishën e Shën Thanasit, kishën e Shën Kosmait dhe Damianit, famullinë e Shën Mitrit ku së bashku me komunitetin arbëreshë mori pjesë në meshën e së premtes së shenjtë.

/Shqip.com