Lajme Ballkan

Gërvalla: Vizita ime në Luginë, pjesë e përkushtimit të Kosovës për avancimin e pozitës së shqiptarëve

Gërvalla në takim me kryetarin e Bujanocit.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se vizita e saj në Luginë është pjesë e përkushtimit të fuqishëm të Kosovës për avancimin e pozitës së shqiptarëve të Luginës, përcjell Shqip.com.

Këto deklarata, Gërvalla i ka bërë në takim me kryetarin e Bujanocit, Nagip Arifi të enjten, ku ka diskutuar për sfidat që përballen shqiptarët e Luginës.

Sipas njoftimit të MPJD-së, Gërvalla gjatë këtij takimi ka theksuar se ekziston një përkushtim që të identifikohen temat dhe kërkesat për të cilat do të ofrohet përkrahje e vazhdueshme nga Institucionet e Kosovës.

“Ajo ngriti çështjet që lidhen me përkrahjen financiare për projekte zhvillimore, si dhe mundësitë që të përkrahen fusha si: arsimi i lartë, kultura dhe projekte tjera. Ministrja Gërvalla e siguroi kryetarin Arifi se sensibilizimi i komunitetit ndërkombëtar për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës dhe qasjen diskriminuese të institucioneve të Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës, është një temë e rëndësishme e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës.

Në përmbyllje të takimit, ishte dakordim i bashkëbiseduesve se duhet punuar në të gjitha nivelet, dhe se duhet pasur një qasje të harmonizuar dhe strategjike”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës./SHQIP.com