Lajme

Gërvalla: Të mos sillet si i dërguar i BE, nuk i takon Ramës të na mësojë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka komentuar përplasjen Rama-Kurti, pas dërgimit të draftit për asociacionin në kancelaritë evropiane nga kryeministri shqiptar.

Gërvalla u shpreh se kryeministri i Shqipërisë nuk mund të sillet me Kosovën si i dërguar i BE, pasi Kosova, Shqipërinë nuk e sheh si pjesë të skenës ndërkombëtare, por si shtetin motër.

“Nuk mund të sillet Rama me Kosovën siç sillet përfaqësuesi i BE se ne kemi qytetarë në të dyja anët e kufirit dhe jo vetëm duhet të forcojmë bashkëpunimin por mund të bëhemi shembulli më i mirë. Nuk i takon as kryeministrit të Shqipërisë dhe kryeministrave të vendeve të tjera në rajon të na tregojë ku duhet të qëndrojnë kryetarët e komunave të zgjedhur më votë.  Jemi mirënjohës për ata që përpiqen të kontribuojnë po kontributi nuk jepet duke anuluar mbledhje apo duke deponuar drafte në Berlin e Francë, por duke u ulur së bashku dhe duke gjetur zgjidhje që funksionojnë”, tha Gërvalla për Euronews Albania.

/Shqip.com