Lajme

Gërvalla takohet me homologun e saj kroat, flasin për personat e zhdukur dhe dialogun

Pamje nga takimi i kryediplomates Gërvalla me homologun e saj kroat

Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grlic Radman është pritur në takim nga ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Në këtë takim së bashku me Gërvallën është parë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Radman në një konferencë të përbashkët me Gërvallën, mes tjerash theksoi se kanë biseduar për temat e fundit politike dhe dialogun e Kosovës me Serbinë.

“Gjithashtu kemi theksuar se Kosova dhe Kroacia janë shtete mike, Kroacia është ndër shtetet e para që e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, rezultati është edhe në vizitat bilaterale. Kjo vizitë pas 2 vitesh është që të përforcojmë akoma më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve”, ka theksuar Radman.

Kryediplomati kroat, ka përshëndetur aplikimin e Kosovës në KiE, duke përmendur mes tjerash edhe dialogun Kosovë-Serbi.

“Gjithashtu e përshëndesim vendimin e Këshillit të Evropës. Shpresoj se kjo do të rregullohet në një periudhë të shpejt dhe ta shohim Kosovën anëtare së shpejti. Ky do të jetë hap i madh për Kosovën, si dhe Kroacia mund të jap kontribut të veçantë.

Për dialogun Kosovë-Serbi presim avancim të marrëdhënieve, të gjitha palët presin hapat të mëtejmë.

Lidhur me këtë përshëndesim marrëveshjen e fundit Kosovë-Serbi për personat e pagjetur. Shpresoj se do të zgjidh problemet me personat e pagjetur. Kroacia që 30 vite është duke kërkuar mbi tre mijë persona të zhdukur”, shtoi Radman.

I pyetur nga gazetarët për modelin për Asociacionin, sipas shembullit të Kroacisë që e kishte përmendur kryeministri Albin Kurti, Radman deklaroi se Kroacia e mbështet çdo marrëveshje mes palëve që çon në rregullimin e raporteve, porse i mbetet Kosovës që të vendos për këtë çështje.

Në konferencën e përbashkët për medie me kryediplomaten kosovare, Radman tha se ky model ka pasur sukses në Kroaci, por se varet nga shtetet sa mund të zbatohet tek sistemet e tjera.

“Më vjen mirë që Kroacia merret si model, natyrisht është bukur të dëgjohet. Kroacia ka arritur të gjitha prioritetet e saj në politikën e jashtme. Qëllimi i sotëm këtu është forcimi i marrëdhënieve bilaterale dhe avancimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Është me rëndësi stabiliteti rajonal dhe dialogu brenda shteteve të Ballkanit. Kur flasim për modelin kroat mund të flasim që ky model është promovuar përmes Kushtetutës dhe ligjeve për të drejtat e pakicave dhe ndoshta mund të shërbejë si model”, tha kryediplomati kroat.

/Shqip.com