Lajme

Gërvalla takohet me Escobarin, flasin për dialogun Kosovë-Serbi

Gërvalla në takim me Escobarin

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është takuar këtë të mërkurë me zëvendës ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, njëherësh mbikëqyrës i politikave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ky takim është zhvilluar në margjina të takimit të Komisionit të Partneritetit në nivel ministror të Kartës SHBA-Adriatik në Zagreb.

Gjatë këtij takimi, ministrja Gërvalla e ka informuar Escobarin me zhvillimet aktuale në Kosovë, duke u ndalur në progresin e shënuar në fushën e ekonomisë dhe drejtësisë.

“Gjithashtu kanë biseduar për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për çka Gërvalla ka theksuar se dialogu mund të zhvillohet vetëm mbi bazë të parimeve dhe vlerave të përqafuara nga SHBA dhe BE, dhe me synim njohjen e ndërsjellë mes shteteve fqinje”.

“Duke folur për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, Gërvalla e ka falënderuar Escobar për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Kosovës në këtë rrafsh si dhe në të gjitha dimensionet e shtet-ndërtimit”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Ndryshe, javë më parë Escobar duke folur për dialogun, pati thënë se “do të ishte ideale që normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të ndodhë me njohje reciproke”./SHQIP.com