Lajme

Gërvalla sot takohet me të Dërguarin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor

Donika Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, do të takohet sot me të Dërguarin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Siç njofton MPJ, takimi do mbahet nga ora 19:00.

Pas takimit, Gërvalla dhe Sarrazin do të mbajnë konferencë për media.

Sarrazin para disa ditëve ka qëndruar edhe në Beograd, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Nga atje, Sarrazin ka thënë se Bashkimi Europian duhet të mbajë zotimet ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke i hequr regjimin e vizave Kosovës dhe duke hapur negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Hapja negociatave për anëtarësim [me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut] dhe liberalizimi i vizave [për Kosovën] janë të rëndësishme në këto momente historike, si dhe nënvizojnë besueshmërinë e BE-së”, ka thënë Sarrazin gjatë një forumi në Serbi.

Ai tutje shtoi se kur diskutohet çështja e liberalizimit të vizave, shteti i tij është i gatshëm për të siguruar një përgjigje konkrete.

“Liberalizimi i vizave për Kosovën është i rëndësishëm sepse nënvizon besueshmërinë e BE-së. Ne s’duhet ta humbim kurrë këtë mundësi”, ka thënë emisari gjerman./Shqip.com