Lajme

Gërvalla: Reciprociteti është realitet, vendimi do të shtyhet nëse bllokadat largohen me 1 gusht

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla

Ministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se Kosova nuk ka shtyrë asgjë në lidhje me vendimin e reciprocitetit.

Ky postim i Gërvallës në Twitter është reagim ndaj deklaratës së  emisarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak i cili tha se mirëpret vendimin e Kosovës për ta pranuar propozimin e Josep Borrellit.

“Faktet mbesin fakte: Kosova është pajtuar me propozimin e SHBA-së, në linjë me BE-në. Ne jemi pajtuar që ta pauzojmë deri më 1 shtator 2022 – por vetëm nëse bllokadat largohen më 1 gusht. Reciprociteti do të mbesë realitet. Kosova nuk ka ‘shtyrë’ asgjë, rregullorja për ID-të është miratuar nga mesnata”, shkroi Gërvalla.

Kurse, Lajçaku kishte thënë se tani Bashkimi Evropian është duke pritur që të hiqet bllokadat menjëherë.

“Mirëpresim vendimin e Kosovës për ta pranuar propozimin e Josep Borrel për shtyrjen një mujore. BE pret që të gjitha bllokadat të hiqen menjëherë. Borrell ftoi Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në dialog në rrugën përpara. Mirënjohës ndaj ambasadës së Amerikës në Kosovë për mbështetjen e fortë” shkroi Lajçak.

Barrikadat janë vënë më 31 korrik nga serbët lokalë të Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të 29 qershorit të Qeverisë së Kosovës për targat e makinave që lëshojnë autoritetet e Serbisë me akronimet e qyteteve të Kosovës dhe dokumentet për hyrje/dalje për qytetarët serbë kur të hyjnë në njërën nga pikat kufitare në Kosovë.

Qeveria e Kosovës, me kërkesë të SHBA-së dhe BE-së ka shtyrë zbatimin e vendimeve – që ishin planifikuar të zbatoheshin nga 1 gushti – duke thënë se dënon ashpër bllokimin e rrugës në veri të Kosovës.

Qeveria pati vendosur që më 1 gusht do të niste lëshimi i të ashtuquajturave dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Ky dokument do të lëshohej në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ato ajrore, si dhe do të ishte i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.

Po ashtu të hënën pritej të hynte në fuqi edhe vendimi për riregjistrimin e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa si KM (Mitrovica e Kosovës), PZ (Prizren) UR (Ferizaj) e të ngjashme, qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Sipas vendimit të marrë më 29 qershor nga Qeveria e Kosovës, afati për riregjistrimin e makinave do të zgjaste deri më 30 shtator./Shqip.com