Lajme

Gërvalla nuk raporton në Komisionin për Integrime, opozita e quan ministren të papërgjegjshme

Komisioni për Integrime Evropiane

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla nuk ka shkuar sot për raportim në Komisionin për Integrime Evropiane.

Kryetarja e këtij komisioni që vie nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi bëri të ditur se ministrja Gërvalla nuk ka shkuar të raportoj për shkak të një udhëtimi urgjent, shkruan Shqip.com.

“Ditën e hënë kemi pranuar konfirmim se ministrja mund të raportoj më datën 22, dhe pastaj dje kemi marrë njoftim nga ana e kabinetit të saj se për shkak të një udhëtimi urgjent ministrja nuk do të mund të raportoj në mbledhjen e sotme”, ka thënë Krasniqi.

“Kjo është papërgjegjësi nga ana e ministers Gërvalla”, shtoi më tej kryetarja e komisionit.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gëvalla

Deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu kërkoi nga ministrja Gërvalla të jetë më e përgjegjshme kur bëhet fjalë për raportim në komision.

“Unë sinqerisht kam prit që ministrja të vie. Ajo e ka shtyrë raportimin për datën 13, prapë nuk ka ardhë. Nuk e di çka ka më të ngutshme dhe më urgjente sesa një takim urgjent që asaj i ka dalë. Zonja ministre të jetë e përgjegjshme sepse shumë pak ligje janë miratuar”.

Ndërsa, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, para komisionit, kërkoi nga deputetët që të kenë mirëkuptim për mungesën e ministres Gërvalla.

“Mendoj që duhet me u trajtu më me urgjencë sa fakti që po e quajmë papërgjegjësi faktin që nuk është këtu për të raportu për diçka që kanë obligim për të raportu. Sepse mund të gjejnë data të tjera për të raportuar para komisionit por sigurisht se nuk mund të gjejnë data të tjera për t’i shtyrë agjendat përpara të takimeve të rëndësishme sidomos tani që jemi në një fazë të rëndësishme të politikave të jashtme për vendin tonë. Edhe takimet e natyrës urgjente është e rëndësishme t’i mirëkuptojmë dhe ne si deputet”, tha Kryeziu-Hyseni.

Kurse, deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj kërkoi që ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla të jetë e kujdesshme gjatë caktimit të datës së takimit për raportim në komision.

“Herave tjera të jenë të kujdesshëm. Nuk besoj se një ministër ka agjendë ad hoc. Kjo nuk ndodh, ne jemi deputet edhe kurrë sna ka ardhë një ftesë brenda 24 orëve, por ato ftesa bëhen një kohë më të gjatë”, tha deputetja Kadrijaj./Shqip.com