Lajme

Gërvalla nënshkruan bashkëpunim me AKK-në, për zhvillimin dhe zbatimin e programeve që ndërlidhen me diasporën

Ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media.

Me këtë marrëveshje, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës planifikon përfshirjen e komunave në kuadër të programeve dhe aktiviteteve për dhe me diasporën.

“Sipas marrëveshjes, palët do të krijojnë kushte për angazhimin e diasporës në politika zhvillimore si dhe do të punojnë së bashku për nxitjen e diasporës për të investuar në Kosovë dhe për realizim të eksporteve nga Kosova drejt vendeve respective”, thuhet në njoftimin për media.

Po ashtu është bërë e ditur se qëllimi i këtij memorandumi është krijimi i Kolegjiumit për Diasporë brenda Asociacionit të Komunave të Kosovës, dhe përmes tij të bëhet koordinimi, bashkëpunimi, bashkëkrijimi dhe mbështetja e komunave nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Marrëveshja është nënshkruar në ceremoninë solemne të shënimit të 21- vjetorit të themelimit të Asociacionit të Komunave. Nënshkrimi është bërë në prani edhe të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti./Shqip.com