Lajme

Gërvalla në Samitin për Demokraci e përmend vrasjen e babait të saj

Donika Gërvalla-Schwarz, shefja e diplomacisë kosovare

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla në panelin “Media and Freedom”, të Samitit të Demokracisë, ka folur për vrasjen e babait të saj, Jusuf Gërvalla, nga shërbimi sekret jugosllav, i dominuar nga Serbia.

Gërvalla tha se edhe në vitin 2022, në televizionin serb të kontrolluar nga qeveria, një ish-agjent, sipas saj, përgjegjës për planifikimin e atyre vrasjeve, krenohet për vrasjen e babait të saj dhe vrasjeve të tilla.

“Ky është realiteti në Serbi, Evropë, në vitet 2022 dhe 2023 dhe është e rëndësishme ta njohim këtë realitet. E përmend këtë për të treguar se nuk është çështja tek fjalët e bukura apo tek qëllimet abstrakte, por kërcënimi për lirinë, demokracinë dhe mediat e lira është real”, tha Gërvalla.

E para e MPJ-së tha se njëjtë si Putini sot në Ukrainë, në vitin 1999 ka bërë edhe Serbia kundër Kosovës, duke u përpjekur që popullatën shqiptare ta debojë nga vendi.

“Ministër serb i informacionit – pra i lajmeve të rreme dhe gënjeshtrave – gjatë periudhës së gjenocidit ishte Vuçiçi. Sot, Kosova është një vend i pavarur dhe ne jemi duke strehuar gazetarë ukrainas”, theksoi kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla.

/Shqip.com