Lajme

Gërvalla në OKB: Daçiq është kriminel lufte

Donika Gërvalla - Ministrja e Jashtme e Kosovës

Shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla Schwarz në fillim të fjalimit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka thënë se shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq u lejua që të flasë në gjuhën e popullit të tij në seancë.

Ajo deklaroi se Daçiq është kriminel lufte dhe se për këtë duhet të dalë para drejtësisë, derisa akuzoi se ai i përbuz viktimat e luftës në Kosovë.

Që Daçiq është kriminel, Gërvalla tha se do ta thotë në tri gjuhë: shqipe, angleze e serbe.

“Ivica Daçiq është përgjegjës për krime lufte, vrasje masive e përdhunime. Ai duhet të sillet para drejtësisë, para një tribunali për krime lufte”, tha Gërvalla.

“Daçiq foli me gjuhë të popullit të vet, e jo në gjuhën angleze, siç bëjnë të gjithë. Edhe unë dua të flas në gjuhën shqipe, që është gjuha e popullit shumicë në Kosovë, por më është mohuar kjo e drejtë”, shtoi më tej Gërvalla.

Ajo foli edhe për raportin e UNMIK-ut, ku tha se vetë UNMIK-u s’po i kontribuon paqes.

“Në raportin e UNIMK-ut, Samiti i Berlinit përmendet veç si fusnotë. As samiti i mbajtur në Berlin në nëntor të vitit 2022, as samiti i parë i mbajtur në histori të Ballkanit në Tiranë nuk përmenden në raport”, tha Gërvalla.

Ajo përmendi marrëveshjet që kanë dalë nga Procesi i Berlinit, teksa shtoi se Serbia veç e ka bllokuar procesin dhe se Serbia e ka në ADN politike që të mos e mbaj fjalën.

“Është një fakt i njohur ndërkombëtarë se kur Kosova premton diçka, e mban fjalën. Nuk jemi zmbrapsur asnjëherë nga asnjë marrëveshje e nënshkruar por kjo nuk vlen për Vuçiqin, Daçiqin e kolegët e tyre.

ADN-ja politike e tyre e bën të pamundur që ta mbajnë fjalën. Në qoftë se nënshkrimet nuk mbahen, atëherë marrëveshjet bëhen një farsë dhe kjo tregon mosrespekt për krejt komunitetin diplomatik”, tha Gërvalla.

Ministrja e Jashtme më tej tha se ka zëra nga Holanda e Gjermania që po thërrasin për sanksione ndaj Serbisë, pasi sipas saj, “nuk negociohet me mashtrues, por mashtruesit duhet të përballen me pasoja”.

/Shqip.com