Gërvalla: Kosova është e gatshme të ndihmojë Maqedoninë pas aksidentit tragjik

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, i ka dërguar telegram ngushëllimi homologut të saj nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmani, pas aksidentit tragjik që ndodhi këtë të martë në Bullgari.
Ajo ka shprehur ngushëllime për viktimat dhe shërim të shpejtë për të lënduarit.
Po ashtu ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të qenë pranë dhe për të ndihmuar në çdo gjë që është e nevojshme për qytetarët dhe institucionet maqedonase.
“Me trishtim të thellë mora lajmin për aksidentin tragjik në Bullgari, ku në mëngjesin e sotëm humbën jetën 46 persona nga Maqedonia e Veriut”.
“Pranoni ngushëllimet më të sinqerta në emrin tim dhe të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, për Ju, familjarët e viktimave dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut për këtë humbje të madhe dhe tragjike”, thuhet ndër të tjera në telegram.

Autoritetet bullgare raportojnë se të paktën 45 persona humbën jetën kur një autobus u përfshi nga flakët të martën në Bullgarinë perëndimore. Prej tyre 12 ishin fëmijë.
Ata ishin duke u kthyer nga Turqia për në vendlindje; Maqedoni të Veriut.
Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit.
Vlen të theksohet se në aksident nuk ishin të përfshirë automjete të tjera./SHQIP.com