Lajme

Gërvalla: Jemi të hapur për zgjedhje të reja në Veri

Kosova është e hapur ndaj mundësisë së zgjedhjeve të reja në katër komuna veriore, por para kësaj duhet të ndërmerren hapa të tjerë, ka thënë të martën ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.

Ministrja Gërvalla, duke folur pas takimit me ministrin e jashtëm çek në Pragë, tha se fundi i dhunës ishte kushti i parë për të konsideruar zgjedhje të reja.

“Po, ne jemi të hapur për zgjedhje në këto katër komuna, por për të pasur zgjedhje të reja na duhen hapa në mes”, tha ajo.

Ajo tha se Kosovës i duhet gjithashtu “një angazhim nga Serbia se ata nuk do të kërcënojnë më qytetarët serbë të Kosovës që të mos marrin pjesë në zgjedhje”, shkruan Reuters.

Ndryshe, ministrja Gërvalla, për takimin me homologun e saj çek ka shkruar edhe në Twitter.

“Ngrohtësia dhe mikpritja reflektojnë një marrëdhënie të veçantë mes dy vendeve tona. Thellimi i lidhjes sonë do të forcojë Perëndimin dhe Bashkimin Evropian në një kohë kritike”, ka shkruar ajo.

/Shqip.com