Lajme

Gërvalla: Homologut hungarez i kërkova angazhim konkret për të ndryshuar qasjen agresive të Serbisë ndaj Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, dhe ministri i Jashtëm të Hungarisë, Peter Szijjarto

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, dhe ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, kanë mbajtur të hënën konferencë për media.

Gërvalla, ka theksuar se ka biseduar me homologun e saj hungarez, dhe se ka kërkuar angazhim konkret për të ndryshuar qasjen agresive të Serbisë ndaj Kosovës.

Ajo ka thënë se Serbia po e kërcënon rajonin e Kosovës, përmes Rusisë, e kërcënime këto që duhet të merren seriozisht.

Dhe gjithashtu ka thënë se edhe Kosova kërcënohet nga Serbia ashtu si Ukraina nga Rusia.

Ndërkaq, ministri hungarez Peter Szijjarto, ka deklaruar se nuk do të përfshihet në luftë.

“Hungaria nuk do të përfshihet në luftën që po ndodh tek fqinjët tanë”, ka thënë ai.

Tutje ka shtuar se në Këshillin e Bashkimit Evropian, ai ka pasur takim ku Hungaria ka dhënë pëlqimin e saj, të ashtuquajturën aktivizimin e paqes evropiane.

Ndërkaq, ka deklaruar se Hungaria nuk do të dërgojë armë në Ukrainë.

“Hungaria nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë dhe as armë për shkak që ne nuk dëshirojmë të përfshihemi në këtë luftë fare”, ka thënë ai.

Gjithashtu ka theksuar se prioritet i tyre është siguria e popullit të Hungarisë, duke marrë vendimin që të mos lejohet kalimi i armëve nëpër territorin e Hungarisë.

Gërvalla, pushtimin e Ukrainës, e ka cilësuar si krim.