Lajme

Gërvalla do të marrë pjesë në varrimin e Papa Benediktit XVI

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gëvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të varrimit të Papa Emeritus Benediktit XVI, e cila organizohet në sheshin “Shën Pjetri”, në Vatikan.

Gërvalla do të shoqërohet nga përfaqësuesi i presidentes së Republikës së Kosovës për Selinë e Shenjtë, Vehbi Miftari.

Lexo edhe:
Sot varroset Papa Benedikti

Në njoftimin e lëshuar thuhet se në këtë ceremoni do të jenë të pranishëm shumë liderë dhe delegacione të shteteve të ndryshme nga mbarë bota.

“Pjesëmarrja në këtë ceremoni e delegacionit zyrtar të Kosovës, dëshmon për respektin që Papë Benedikti XVI gëzon ndër qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe për kujdesin që Kosova u kushton tradicionalisht raporteve me Selinë e Shenjtë”, thuhet në njoftim.

Papa Benedikti XVI ndërroi jetë javën e kaluar. Ai e udhëhoqi kishën katolike të Romës nga viti 2005 e deri më 2013.

/Shqip.com