Sport Shqiptar Pak fjalë, shumë ndërhyrje

Gentrit Halili – shtylla e mbrojtjes së Ferizajit

Mbrojtja e hekurt e FC Ferizajit është një nga arsyet kryesore pse kjo skuadër e siguroi biletën për rikthim në Superligë.

Në zemër të repartit defanziv, lider i padiskutueshëm gjatë tërë sezonit ishte Gentrit Halili.

Në një intervistë për Shqip.com, Halili ka rrëfyer për këtë rrugëtim, paraqitjet individuale, ambiciet e shumë gjëra të tjera.

Fillimisht, ai tha se “jo rastësisht jemi skuadra me më së paku gola të pranuara. Forma individuale duke ju falënderuar ndihmës së skuadrës ka qenë shumë e mirë dhe kjo gjë shihet te statistikat”.

Shtatgjati tregon që “interesim për shërbimet e tij ka pasur edhe nga skuadrat tjera, por me përfundimin e kontratës do të bisedoj me klubin për çështjen e vazhdimit”.

Haliti, potencoi se përkundër formës së dobët në fillim të kampionatit, ai e as shokët e skuadrës nuk u dëshpëruan – deri në arritjen e qëllimit – dhe se ardhja e Arbnor Morinës në krye të skuadrës pati efekt të madh.

“Arritëm të rikthehemi nga një gjendje aspak e mirë, me pesë humbje në fillim – deri në 20 ndeshje pa disfatë. Kjo tregon shumë karakterin e skuadrës”, tha ai.

Teksa, shtoi se ”atmosfera në klub ka qenë shumë e mirë qysh nga fillimi, por me ardhjen e trajnerit Arbnor Morina kemi marrë një mentalitet fitues dhe kjo na ka ndihmuar shumë edhe për me arritur qëllimet ku jemi sot”.

Sa i përket qëndrimit në Superligë, Gentrit insistoi “nuk e kemi menduar a do të mbijetojmë, sepse kemi synime tjera dhe jo zonën e poshtme të tabelës”.

Për 21 vjeçarin kjo nuk është hera e parë që do të luaj në Superligë, pasi kishte luajtur edhe në sezonin e kaluar me skuadrën nga Ferizaji.

Ai veçohet për leximin e mirë të lojës, shpejtësinë dhe ndërhyrjet e sakta.