Lajme

Gazi lotsjellës në Kuvend, Gjykata e Apelit ua ul dënimin për 8 muaj ish-deputetëve Haxhi Shala e Ismajl Kurteshi

Gjykata e Apelit ka vendosur që dy ish-deputetëve të Kuvendit të Kosovës Haxhi Shala të Nismës dhe Ismajl Kurteshit të Lëvizjes Vetëvendosje të ua ul dënimin për 8 muaj.

Gjykata e Apelit, ka ndryshuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë vetëm sa i përket dënimit me burg, raporton Betimi për Drejtësi.

Shalës e Kurteshit i shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 4 muajve (secilin veç e veç), i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse të njëjtit nuk kryejnë vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej 1 viti.

Haxhi Shala dhe Ismajl Kurteshi ishin dënuar nga Gjykta Themelore në Prishtinë me 31 dhjetor të vitit 2021 me një vit burgim me kusht.

Të dy deputetët e Kuvendit të Kosovës që në atë kohë ishin në opozitë më 30 nëntor 2015, në seancën e Kuvendit të Kosovës kishin hedhur gaz lotsjellës me qëllim që të ndërpresin punimet e seancës.

/Shqip.com