Lajme

Gazi lotsjellës në Kuvend, dështon seanca gjyqësore

Gjykata Themelore Prishtinë.

Ka dështuar seanca e gjykimit për hedhjen e gazit lotsjellës ndaj deputetëve të atëhershëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kjo pasi ka munguar Rexhep Selimi i cili është në Hagë, pos tij mungoi edhe ish-kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuak – si dhe Enver Hoti, Shqipe Pantina e Teuta Haxhiu.

Lidhur me mungesën e të akuzuarve Hoti dhe Haxhiu, gjykatësi Adnan Kamberi deklaroi se deri në kohën e mbajtjes së kësaj seance, gjykata nuk ka pranuar fletëkthesën nga Posta e Kosovës për të konstatuar nëse të njëjtit janë ftuar në mënyrë të rregullt, raporton Betimi në Drejtësi.

Po ashtu për mungesën e të akuzuarës Pantina, gjykatësi Kamberi bëri të ditur se gjykata ka prova se e njëjta është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën nuk e ka arsyetuar.

Ndërsa, për të akuzuarin Selimi, gjykatësi Kamberi ka thënë se gjykata ka pranuar fletëkthesën në të cilën rezulton se e ka pranuar një person tjetër.

Për Selimin, gjykatësi tha se tanimë dihen shkaqet e mungesës së tij, pasi që i njëjti gjendet në një tjetër procedurë gjyqësore.

“Gjykata do të marrë edhe një konfirmim prej Policisë së Kosovës lidhur me Rexhep Selimin edhe pse për të është një fakt notor që i njëjti është në një procedurë tjetër gjyqësore, e pastaj gjykata do të veprojë konfrom dispozitave të Kodit të Procedurës Penale”, tha gjykatësi Kamberi.

Ndërsa, lidhur me sigurimin e prezencës së të akuzuarve Hoti dhe Haxhiu në seancën e radhës, gjykatësi tha gjykata po sa t’i pranojë fletëkthesat nga Posta e Kosovës do të veprojë sipas dispozitave ligjore. /SHQIP.COM