Lajme Botë

Gazetari amerikan dënohet me 11 vjet burg në Mianmar

Gazetari Danny Fenster

Një gjykatë ushtarake në Mianmar ka dënuar gazetarin amerikan, Danny Fenster, me 11 vjet burg.

Fenster u shpall fajtor për shkelje të ligjit të imigracionit, shoqërim të paligjshëm dhe inkurajim të mospajtimit kundër ushtrisë.

Ai u ngarkua në fillim të kësaj jave me dy akuza shtesë për kryengritje dhe terrorizëm, të cilat parashikojnë një dënim maksimal me burgim të përjetshëm.

Gjyqi i tij për akuzat e reja do të fillojë më 16 nëntor, shkruan BBC, transmeton Shqip.com.

Fenster, 37 vjeç, i cili ishte redaktori menaxhues i faqes në internet Frontier Myanmar, u arrestua në aeroportin ndërkombëtar të Yangon në maj. Ai është një nga dhjetëra gazetarët vendas që janë arrestuar që nga një grusht shteti ushtarak në shkurt.

Sipas Frontier, Fenster kishte punuar më parë për Myanmar Now, një faqe e pavarur lajmesh që ka qenë kritike ndaj ushtrisë që nga grushti i shtetit.

“Akuzat bazoheshin të gjitha në pretendimin se ai punonte për median e ndaluar ‘Myanmar Now’. Danny kishte dhënë dorëheqjen nga ‘Myanmar Now’ në korrik 2020 dhe iu bashkua Frontier muajin tjetër, kështu që në kohën e arrestimit të tij në maj 2021 ai kishte punuar me Frontier për më shumë se nëntë muaj”, tha faqja e lajmeve.

“Nuk ka absolutisht asnjë bazë për të dënuar Danny për këto akuza.”

Dënimi i tij të premten vjen disa muaj pasi një gazetar japonez i pavarur u arrestua në Myanmar dhe u akuzua për përhapjen e lajmeve të rreme.

Yuki Kitazumi, i cili raportonte për shumë prej mediave kryesore të lajmeve të Japonisë, ishte një nga pak reporterët e huaj në vend. Autoritetet e Mianmarit thonë se ai ka shkelur ligjin, por e ka liruar sepse Japonia e kishte kërkuar atë./SHQIP.com