Lajme

Gazetarët ukrainas do t’i kushtojnë Qeverisë së Kosovës 150 mijë euro për gjashtë muaj

Ilustrim

Kosova do të pranojë 20 gazetarë nga Ukraina të cilët janë larguar nga vendi i tyre për shkak të agresionit rus, shkruan Shqip.com.

Së fundmi, Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) ka hapur thirrjen për aplikime nga Ukraina për Programin Gazetarët në Rezidencë në Kosovë (JiR Kosova).

Programi JiR Kosovo financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe u mundëson 20 gazetarëve dhe punonjësve të medias individuale ukrainase të zhvendosen në Kosovë për një periudhë deri në gjashtë muaj me mundësi vazhdimi në varësi të zhvillimeve në Ukrainë.

Por, sa do t’i kushtojnë këta gazetarë buxhetit të Kosovës?

Sipas njoftimit nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, gazetarëve do t’i jepet një shumë e parave për zhvendosje, ata do të marrin edhe pagë muajore dhe përveç kësaj do të marrin edhe pagesë shtesë për qira.

Në njoftim thuhet se “kandidatët e suksesshëm do të pajisen me 1000 euro për zhvendosje, pagë mujore prej 500 euro dhe 300 euro për qira. Ata do të kenë akses në një hapësirë ​​zyre, në sigurime shëndetësore dhe në kurse gjuhësore dhe integrimi”.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kishte kërkuar nga ekzekutivi që të ndajë 150,000 euro për pranimin e tyre.

Shuma prej 150,000 eurosh do të përdoret për të mbuluar shpenzimet e qirasë, zyreve, sigurimeve shëndetësore, pagesës mujore dhe shpenzimeve të transportit për gazetarët ukrainas, për një periudhë 6-mujore.

Së fundmi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar në Twitter se do t’i përkrahin gazetarët ukrainas dhe do t’ua mundësojnë punën nga distanca.

“Kosova do të presë 20 gazetarë dhe do t’u sigurojë atyre akomodim dhe hapësirë ​​pune. Jam shumë i kënaqur të shoh që Programi i Gazetarëve në Rezidencë në Kosovë është tani i hapur dhe ne mezi presim t’i mirëpresim ata që janë pranuar në Kosovë”, shkruan Kurti.

Theksojmë se gazetarët që vijnë në Kosovë do të kenë statusin e individëve të mbrojtur ndërkombëtarisht./Shqip.com