Lajme

Gazetarët e RTK-së përdorin gjuhë seksiste ndaj ministres Gërvalla, nuk e dinë se janë në transmetim live

Dy gazetarë të Radio Televizionit të Kosovës kanë përdorur gjuhë seksiste dhe ofenduese ndaj ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, derisa e njëjta po merrte pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Konferenca u transmetua drejtpërdrejtë në televizionin publik, por para se ajo të fillonte në RTK u shfaqën pamje dhe audio të konferencës.

Por, për këtë gjë duket se nuk ishin në dijeni dy gazetarë të mediumit, të cilët në sekondat e para të transmetimit, të pavetëdijshëm se biseda e tyre po transmetohej, filluan të flisnin me njëri-tjetrin duke e pasur objekt bisede ministren Gërvalla.

Gazetari 1:

A, kjo Gërvalla a?

Gazetari 2:

E, ç’ajo!

(…) Atë s’e kisha lën as këtu përpara te rampa (te trau i hyrjes së institucionit) me ndejt, s’e kisha lën, pasha zotin!

Gazetari 1:

Ku m’e qit Donikën? As e bukur jo, as kurgjo…e q**a nonën!

Gazetari 2:

E q**a nonën bash!

Për këtë rast ka reaguar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Doarsa Kica-Xhelili, e cila gjuhën e përdorur nga gazetarët e RTK-së e ka quajtur “denigruese”, “seksiste” dhe “të papranueshme”.

“Gjuha e tillë nuk duhet të ketë vend në asnjë format, e lëre më në një platformë mediatike që për më tepër është institucion publik”, ka shkruar ajo në rrjetin social “Facebook”.

Mes tjerash, Kica-Xhelili i ka bërë thirrje RTK-së që të distancohet nga ajo gjuhë dhe rastin ta trajtojë me seriozitet, “ashtu që të sigurohet që një nivel i tillë mendimi e diskutimi të mos tolerohet më kurrë”.

“Njëkohësisht, i bëjmë thirrje të gjitha mediave, gazetarëve e shoqërisë civile që të reagojë karshi një gjuhe të tillë që fatkeqësisht nuk është e rrallë në shoqërinë tonë, por që nuk guxojmë në asnjë mënyrë ta lejojmë të tejkalohet pa u dënuar nga shoqëria”./SHQIP.com