Lajme

Gazeta serbe: Dokument i ri i diplomatëve të BE-së për Kosovën e Serbinë më 18 mars

Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq / Profimedia;Armend NIMANI / AFP / Profimedia; shutterstock

Përpara takimit mes presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili do të mbahet pasnesër në Ohër, redaksia e gazetës “Nova” pretendon se e posedon një dokument të ri nga BE-ja.

“Është krijuar nga ndërmjetësit evropianë në dialogun Beograd-Prishtinë si platformë për bisedime të mëtejshme me Presidentin e Serbisë dhe Kryeministrin e Kosovës. Këto janë praktikisht udhëzimet e tyre për dialog, të cilat duhet të tregojnë unitetin e BE-së për çështjen e zgjidhjes së problemit të Kosovës.

Vetë dokumenti nuk është përfundimtar, por mesazhet nga ai do t’i përcillen Vuçiqit dhe Kurtit. Konkretisht, cilat janë përfitimet e nënshkrimit të marrëveshjes dhe cilat do të jenë pasojat e refuzimit”, thuhet në shkrimin gazetës serbe.

Është veçanërisht e rëndësishme të theksohet se të 27 anëtarët e BE-së qëndrojnë pas kësaj, duke përfshirë pesë vende që nuk e njohin shtetin e Kosovës.

Dokumenti tregon synimin e BE-së dhe Perëndimit për ta lënë plotësisht Evropën pa një konflikt të mundshëm, në dritën e krizës ukrainase.

Vendosmëria shihet edhe në perspektivën shumë të qartë të izolimit të Beogradit dhe Prishtinës, me vetëdijen për mundësinë e trazirave të brendshme.

Së pari, në dokument thuhet se procesi i normalizimit do të menaxhohet nga dy kryediplomatë nga vendet jo-njohëse, Spanja dhe Sllovakia, për të garantuar drejtësi.

“Teksti përfundimtar i marrëveshjes është produkt i një analize gjithëpërfshirëse dhe të plotë të të gjitha përvojave aktuale dhe të kaluara. Është një produkt unik politik, një kompromis i brendshëm i BE-së, i cili është i pranueshëm edhe për shtetet anëtare që e njohin edhe për ato që nuk e njohin Kosovën”, thuhet në dokument, shkruan Nova.

Ai i referohet vijave të kuqe të të dyja palëve, përkushtimit të tyre për paqen rajonale dhe vlerat evropiane, si dhe detyrimet e BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Nëse marrëveshja pranohet, Serbisë i parashikohet një partneritet i fortë strategjik me komunitetin perëndimor.

“Ky partneritet do ta transformojë Serbinë në një forcë shtytëse kryesore ekonomike dhe politike rajonale dhe pranimi i propozimit të BE-së do ta afrojë atë me komunitetin serb të Kosovës”, thuhet në dokument.

Pranimi i Kosovës do të shënojë fillimin e daljes së Kosovës nga kriza dhe mundësinë për t’u fokusuar në zhvillimin thelbësor socio-ekonomik.

Kur bëhet fjalë për dënimet, dokumenti thotë qartë se Beogradi dhe Prishtina kanë dy mundësi. Të pranojë marrëveshjen dhe të pajtohet me qëndrimet e të 27 anëtarëve të BE-së ose ta refuzojë atë, gjë që ka pasoja të rënda. Në atë rast, rruga e tyre drejt integrimeve evropiane do të ndalet dhe në të njëjtën kohë do të humbasin të gjitha përfitimet e mëparshme.

“Së shpejti do të pasojnë izolimi dhe trazirat e brendshme”, thuhet në dokument.

“Serbia dhe Kosova mund të vazhdojnë të gëzojnë përfitimet e marrëveshjeve ekzistuese me BE-në dhe pjesën tjetër të komunitetit perëndimor vetëm nëse angazhohen plotësisht që të bëhen lojtarë konstruktivë në BE dhe në përpjekjet perëndimore për ndërtimin e paqes dhe stabilizimin. Nuk ka rrugëdalje”.

Dështimi i Serbisë për të harmonizuar pozicionin e saj me BE-në 27, thuhet më tej, do t’i krijojë një mundësi Kosovës që të rritet pa pasur nevojë të bashkëpunojë me Beogradin.

“Nëse e refuzon marrëveshjen, Serbia do të humbasë edhe mbështetjen e pesë vendeve që nuk e njohin Kosovën. Pavarësisht nga rezultati, BE-ja dhe NATO-ja në fund do të flasin me një zë për Kosovën”.

Kosova, nga ana tjetër, duhet të përmbushë plotësisht pritjet e komunitetit perëndimor, veçanërisht kur bëhet fjalë për respektimin e marrëveshjeve të kaluara.

“Refuzimi i Kosovës për ta bërë këtë mund të ketë pasoja të rënda për të ardhmen e Kosovës”. Partnerët e zhgënjyer perëndimorë nuk do të mbështesin rritjen e mëtejshme të Kosovës. Pa këtë mbështetje, Kosova mund të priste një kthim prapa në disa fusha”, përfundon dokumenti.

/Shqip.com