Lajme

Gazeta më e madhe zvicerane trajton rastin e vrasjes së 18 vjeçares në Ferizaj

Vrasja e 18-vjeçares në Ferizaj

Gazeta më e madhe zvicerane “Blick.ch”, ka trajtuar rastin e vrasjes së 18-vjeçares M.O., në Ferizaj gjatë javës së kaluar, ngjarje kjo që tronditi Kosovën.

Në artikullin e publikuar të dielën nga gazetarja shqiptare, Dafina Eshrefi, përshkruhet sesi trupi i pajetë i të resë është lënë në hyrje të spitalit të Ferizajt, ku shihet qartë se ishte abuzuar rëndë me të.

Më pas tregohet edhe për të dyshuarin kryesor për këtë vrasje, Dardan Krivaqa, që ishte edhe burri i viktimës për dy muaj, krahu i të cilit ishte i mbuluar me tatuazhe të llojit “Fuck Law”.

“Krahu i të dyshuarit kryesor 29-vjeçar është zbukuruar me tatuazhe të tjerë: “Fuck Law”. Pavarësisht 136 krimeve të regjistruara – përfshirë tentativën e vrasjes – DK ishte i lirë deri në arrestimin e tij”, thuhet në këtë artikull.

Sipas këtij artikulli, halla e viktimës thotë se martesa e M.O.-së me të dyshuarin ishte martesë e detyruar.

“Ai e mori atë kundër dëshirës së saj, u martua me të dhe na e ktheu të vdekur”, thuhet të ketë thënë familjarja, e cila “po I drejtohej një zakoni rajonal: nëse familja e saj ose shpesh e mitura është kundër marrëdhënies, autori e detyron gruan derisa ajo të pajtohet me lidhjen – në rastin më të keq, ai e rrëmben dhe e dhunon”.

Të dielën e javës që lamë pas, M.O., ishte lënë pa shenja jete në hyrje të Emergjencës së Spitalit Rajonal të Ferizajt, nga ish-bashkëshorti i saj dhe një tjetër person, të cilët më pas kanë ikur me një veturë me targa zvicerane.

Të dyshuarit janë arrestuar dhe tashmë gjenden në paraburgim. /Shqip.com