Lajme

Gastronomët paralajmërojnë protesta: Jemi buzë falimentimit pas masave anti-COVID

Gastronomia

Gastronomët kanë paralajmëruar protesta pasi sipas tyre, janë buzë falimentimit, për shkak të masave të reja kundër përhapjes së Coronavirusit, përcjell Shqip.com.

Nënkryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Shpat Hashani, është shprehur se vendimet nga Qeveria kanë dalur ndryshe nga ato që kanë diskutuar në takimin e mbajtur me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Nuk ka shpresë, për momentin nuk kemi shpresë me këto të fundit çfarë ka ndodhur, besomë që jemi në prag të falimentimit ose jemi në një gjendje që duhet ose me bë protestë masive ose mi mbyll të gjitha bizneset e atëherë ndoshta i hap sytë se jemi edhe ne një faktor si tatimpagues dhe në gjëra tjera”, tha Hashani për EO.

Tutje, ai thotë se tashmë dënimet janë të mëdha pasi që po monitorohet edhe zbatimi i Ligjit anti-duhan.

“Ne si Shoqatë kemi qenë gjithmonë dakord me masat e sidomos tash me numrin e rasteve dhe kemi qenë edhe pro mbylljes edhe pse nuk na kanë premtuar ndihmë shteti, dhe tashmë na kanë lejuar vetëm në terrasa në kapacitet prej 70% e edhe këtë nuk po na bëjnë të lejueshme me punuar. Dje veçse kanë pasur një aksion duke mbyllur shumë biznese deri më datën 13 shtator e shumicën i kanë gjobitur, duke e ditur që një gjobë prej 2 mijë eurove është shumë e lartë”, shtoi ai.

Hashani shton se ballafaqimi me krejt këtë situatë dhe me masat po është i vështirë për bizneset, pasi nuk po e kanë të lehtë pagesën e gjobave.

“Është shumë e vështirë ballafaqimi me këto masa, duke e ditur që gjithmonë kemi qenë në kushte jo të rregullta dhe ne si biznese e kemi shumë të vështirë pagesën e këtyre gjobave që vinë dhe e bëjnë si asgjë një dënim prej 500, apo 2 mijë euro që janë vlera të hatashme dhe gjithçka është kundër neve. Kjo ka të bëjë shumë me qasjen e tyre ndaj nesh ku jemi duke u munduar të mbijetojmë”.

Tashmë edhe numri i klientelës ka rënë thotë ai, “krejt kjo nga frika e respektimit të masave”.

“Njerëzit që hynë brenda në lokale  kemi propozuar që t’u kërkohet libreza e vaksinimit, apo edhe testi por edhe kjo ide u refuzua nga ministri. Pra ne si shoqatë kemi bërë të pamundurën dhe tashmë lind ideja pse jemi vaksinuar dhe pse t’i kemi këto pasoja nga keqmenaxhimi i tyre. Edhe numri i klientelës ka rënë për shkak se edhe frika dhe distanca dhe gjithçka është kundër nesh”.

Ndryshe, të hënën kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-COVID-19, në të cilat parashihet që të kufizohet lëvizja e qytetarëve nga 22:00 deri në 05:00 dhe orari i gastronomisë të shkurtohet deri në 21:30./Shqip.com