Lajme

Gashi: Asociacioni po shkon përtej asaj që u nënshkrua nga Mustafa e Thaçi

Arben Gashi - Shef i Grupit Parlamentar të LDK-së
Arben Gashi - Shef i Grupit Parlamentar të LDK-së

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëkohësisht shef i Grupit Parlamentar, Arben Gashi, konsideron se plani evropian lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe shkon përtej asaj që kanë nënshkruar ish-kryeministrat, Thaçi dhe Mustafa.

Ai tha se kryeministri i vendit Albin Kurti, këtë plan e ka quajtur si bazë e mirë dhe të njëjtën veçse e ka pranuar.

“Komunat me shumicë serbe në Kosovë do të kenë një formë të veçantë të vetëmenaxhimit – Kurti duhet të sqarojë se çfarë nënkupton vetëmenaxhimi, problemi tjetër, një kanal special për serbët e Kosovës në komunikim me Qeverinë e Kosovës, çfarë nënkupton kjo president apo ambasador?”.

Kjo nuk ka qenë më herët, ajo që kam mundur të vërej unë është që shumica e analistëve e kanë interpretuar sikur kjo është Asociacioni – kjo është përtej saj dhe është përtej asaj çka kanë nënshkruar Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi. Kjo iu jep më shumë fuqi serbëve në Kosovë”, tha ai.

Arben Gashi, i ka kërkuar Kurtit që të japë shpjegime për nenin 7 të planit të cilin e konsideron si problematik.

Zotëri Kurti duhet të tregojë se çfarë nënkupton vetëmenaxhimi i komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe çfarë kanali duhet të kenë serbët në Kosovë për komunikim me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Këto nuk janë nënshkruar nga Mustafa e Thaçi por po pranohen nga Kurti që po i quan si bazë e mirë – por ky është negocim i dobët”, ka theksuar Gashi në Rubikon.

/Shqip.com