Lajme

Gara për kreun e ri të PD-së, Alibeaj: Çdokush ka të drejtë të kandidojë

Enkelejd Alibeaj

Zgjedhjet brenda Partisë Demokratike dhe situata e opozitë është në vëmendje të mediave kohët e fundit në Shqipëri pas zgjedhjeve vendore të 14 majit ku Partia Socialiste fitoi pjesën dërrmuese të bashkive në vend.

I pyetur nga gazetarët sot për një kandidim të mundshëm të Lulzim Bashës në zgjedhjet për kryetar të PD-së, ish-kreu i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj u shpreh se çdokush e ka të drejtën për të kandiduar për kreun e ri të së djathtës.

“Çdokush ka të drejtë të kandidojë, në një parti që është vërtet demokratike. Këtë e vlerëson vetëm anëtarësia me votim të rregullt, të ndershëm”, tha Alibeaj, i cili përflitet në media si një kandidat i mundshëm për drejtimin e partisë në të ardhmen.

Deklaratat, Alibeaj i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së PD-së, pasditen e së mërkurës.

Kujtojmë se PD-ja zyrtare është aktualisht pa një kryetar, qoftë edhe të komanduar pasi Alibeaj bëri të ditur pas zgjedhjeve të 14 majit, se do të linte postim e kryetarit dhe kreut të Grupit Parlamentar të PD-së.

Aktualisht, Grupin Parlamentar të PD-së e drejton Gazment Bardhi, i cili është edhe Sekretari i Përgjithshëm i partisë.

Situata në PD vazhdon të jetë e përçarë dhe gjasat janë të pakta për një bashkim nëse Berisha vazhdon të drejtojë grupimin e tij të shkëputur nga PD për më shumë se një vit.

Kujtojmë se Alibeaj pas dorëheqjes ka njoftuar nisjen e një procesi reformimi brenda PD-së, duke përfshirë zgjedhje për kreun e ri të partisë dhe strukturat e saj.

/Shqip.com