Lajme

Gara: Numri i fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës është rritur për shkak të Festës së Bajramit dhe sezones verore

Javën e ardhshme në Kosovë, më saktësisht të shtunën festohet Festa e Bajramit. Në aeroportin e Prishtinës pritet që gjatë kësaj jave të ketë numër më të madh të udhëtarëve.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar Valentina Gara- Drejtoreshë e zyrës për media në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

“Tani pritet të kemi shtim të numrit të fluturimeve për shkak të sezonës verore dhe po ashtu edhe Festën e Bajramit”, është shprehur Gara.

Gara po ashtu ka treguar edhe për shtetet që kanë numrin më të madh të udhëtarëve.

‘”Zvicra është destinacioni me më së shumti udhëtar diku rreth 40% të tregut dhe më pas pasohet nga Gjermania, Austria dhe Turqia”, ka shtuar më tutje Gara.

Gara ka folur edhe për mundësinë e rritjes së çmimit të biletave.

“Ne gjatë terë kohës jemi të fokusuar që të kemi kompani të reja ajrore si dhe të shtojmë frekuencat në destinacionet ekzistuese në mënyrë që të ndikojmë indirekt në ulje të çmimeve të biletave”, ka thënë Gara.

Megjithatë çmimet e biletave varen nga kërkesat e tregut ka shtuar më tutje Gara./Shqip.com