Lajme

GAP kërkon miratimin e pagës minimale

Foto ilustruese

Instituti GAP ka publikuar një raport për ndikimin e inflacionit në kontrollin e çmimeve të produkteve, ndërsa ka bërë disa rekomandime për Qeverinë se si të luftohet ndikimi i inflacionit.

Sipas GAP, rritja e ndjeshme e çmimeve po e rëndon mirëqenien e familjeve në Kosovë.

Po ashtu sipas GAP, sfiduese për Kosovën do të jetë dhe furnizimi me energji elektrike në muajt në vijim, duke marrë parasysh kapacitetet jo të mjaftueshme prodhuese të Kosovës dhe çmimet e larta të importit.

Përmes këtij raporti, Instituti GAP ka analizuar të metat dhe përparësitë e praktikës së kontrollit të çmimeve, konkretisht efektet e rregullimit të çmimit të naftës në Kosovë, ndërhyrjet e deritanishme të Qeverisë së Kosovës për të luftuar inflacionin dhe ndikimin e ndryshimit të mundshëm të disa normave tatimore.

Gjetjet e këtij raporti tregojnë se gjatë kohës së kontrollit të çmimit të naftës vërehet një lëvizje më e sinkronizuar e çmimit të naftës me pakicë në Kosovë dhe asaj në berzë. Ndërkaq, në kohën kur çmimet e naftës janë të parregulluara vërehet një tendencë e menjëhershme e rritjes së marzhës së fitimit nga naftëtarët dhe sinkronizim i vonuar me çmimet në berzë.

Instituti GAP rekomandon që krahas masave aktuale të Qeverisë, është e duhur që të miratohet paga e re minimale e cila do të ndikonte rreth 106 mijë punonjës të sektorit privat.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës duhet:

-të hartojë dhe zbatojë politika të qëndrueshme për rritje të prodhimit vendor në mënyrë që të ulet varësia nga importi;

–   të marrë vendime për kursimin e energjisë elektrike edhe në sektorin privat dhe në vazhdimësi të ndajë mjete për iniciativat që mbështesin      rritjen e efiçiencës në konsum të energjisë në shtëpi;

– të konsiderojë lirimin nga obligimet tatimore për gazin dhe peletin, çmimet e të cilave parashihet të kontrollohen përmes ligjit të ri, si dhe

–  të miratojë dhe fillojë së zbatuari Strategjinë e re të energjisë 2022-2031.

/Shqip.com