Kulturë

“Galaktika” brenda Prishtinës po tërheq vëmendjen e qytetarëve

Qytetarët e Prishtinës dhe jo vetëm, studentë e pasionantë të astronomisë, po prisnin në rend ta shihnin nga afër hënën e plotë të nëntorit.

Pallati i Rinisë tash e disa muaj është bërë vend shumë i vizituar falë observatorit që po “njofton” qytetarët me bukuritë e misteret e hapësirës.

Rruga drejt kësaj pajisje shoqërohet me plotë murale në ngjashmëri të yjeve, ngjyrave, që jepnin ndjesinë se po i bashkohesh galaktikës.

Kjo i solli adrenalinë njëres nga vizitorët, Blinera Gashit.

“Ka qenë një moment që nxiti adrenalinën brenda nesh, duke u bërë kuriozë se çfarë do të shikojmë më lartë dhe më dukej vetja që sa të ngritëm edhe pak, do të marrë planetet në duar”, u shpreh ajo për Shqip.com.

Gashi tha se pas vrojtimit të trupave qiellorë, kuptojë me të vërtetë rëndësinë e tyre.

“Shumë gjëra në pamje të parë na duken të vogla, por vetëm atëherë kur e provojmë e kuptojmë që ka aq shumë rëndësi. Informacionet, vrojtimi i trupave qiellor, ambienti i observatorit, ishte një qetësi dhe një ndjenjë që të largonte nga rutina e jetës tonë, puna, studimet etj. Dhe të futemi në mendime për të parë disa gjëra më larg për të cilat kemi shumë pikëpyetje apo enigma”, tha tutje Blinera.





Ndërkaq një 13-vjeçar që po vrojtonte hënën, tha se krijimi i Observatorit nga Klubi i Astronomëve të Kosovës, mund të ngjallë edhe pasionin për të studiuar galaktikën.

“Unë planetët i kam shumë përzemër dhe kur e kam pa që mundemi me i pa në teleskop në Prishtinë, kjo është shumë e rëndësishme sepse që nga këtu njerëzit mund të fillojnë aventurat e tyre në astronomi”, tha ai.

Anëtarja e Bordit të Klubit të Astronomëve, Fjolla Rama, ka thënë se qëllimi i Observatorit, është që qytetarët të njohin më shumë hapësirën qiellore.

“Me anë të Observatorit dhe teleskopëve, ne kemi mundur të shohim shumë mirë gjithësinë, yjet, galaktikat, planetët. Pse jo të zbulojmë edhe ndonjë yll që akoma nuk është zbuluar’, tha ajo.

Ajo njoftoi se Pallati i Rinisë, nuk do të jetë vendi i vetëm i astronomisë, pasi që pritet që të kenë edhe hapësira të tjera.

“Poshtë Pallatit gjendet edhe një hapësirë e pashfrytëzueshme, ku ne do të mundohemi ta kthejmë në Planetarium”, tha ndër të tjera Rama.

Observatori i Prishtinës u hap në korrik dhe deri më tani, ka arritur të marrë vëmendjen e shumë qytetarëve.

/Shqip.com