Lajme

Fushata elektorale në Veri, kësaj radhe mjaft e zbehtë

Fushata elektorale për kryetarë të komunave veriore në zgjedhjet e jashtëzakonshme, nuk po zhvillohet si zakonisht. Kësaj radhe ajo është mjaft e zbehtë. Ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nesër do të mbajë mbledhje në të cilën pritet të diskutohet për ecurinë e zgjedhjeve të 23 prillit.

Ndonëse ka filluar afati për fushatën elektorale për katër komunat në veri, ajo kësaj radhe është mjaft e zbehtë. Kandidatët e certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave veriore, kanë filluar aty këtu ndonjë takim me qytetarë.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, tha për Radio Kosovën se aktualisht janë duke i themeluar disa trupa zgjedhorë dhe se ai po takohet me banorë të fshatit Çabër, meqë aty është elektorati i tij, në komunën me shumicë serbe. Zeqiri thotë se po presin që edhe qeveria të jetë më aktive në këtë drejtim.

Te shohim në proces e sipër, unë po e shoh se edhe nga ana shtetërore apo e qeverisë po shkon ngadalë diçka. Nuk ka entuziazëm fare. Do të duhej të kishte. Unë fare nuk e kam problem të organizohen zgjedhjet. Çdo ditë takohem me qytetarë por unë po flas vetëm për një qendër votimi, në fshatin Çabër“, tha Izmir Zeqiri.

Taulant Kelmendi, po ashtu kandidat nga PDK- për kryetar të Mitrovicës së Veriut, thotë se kësaj here fushata është shumë më ndryshe.

Për shkak të specifikave të kësaj pjese, fushatën nuk po e zhvillojmë intensive sikurse herët e kaluara. Kjo si pasojë e situatës së krijuar edhe vitin e kaluar para zgjedhjeve. Edhe tani, pas djegies se automjeteve, sulmit mbi polici e thirrjet për bojkot, ekziston një dozë frike te qytetarët për pjesëmarrje në zgjedhje, edhe pse disponim ka për të marrë pjesë. Kështu që, fushatën po e zhvillojmë në baza ditore, me komunikim fizik e elektronik me aktivistë, shokë e banorë të kësaj pjese”, thuhet në përgjigjen e Kelmendit dërguar Radio Kosovës.

Kandidati për kryetar të Leposaviqit, Aleksandër Jabllanoviç, nga partia “Serbët e Kosovës”, nuk ka qenë i qasshëm gjatë ditës.

Ndryshe, Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, ka bërë të ditur se KQZ- nesër do të mbajë mbledhjen e radhës.

Gjatë ditë së nesërme, e enjte, KQZ-ja do të mbajë mbledhjen e radhës dhe natyrisht se do të kemi edhe një njoftim lidhur me ecurinë e deritashme të përgatitjeve të zgjedhjeve të 23 prillit”, ka njoftuar Elezi.

KQZ pati vendosur që nga 4 deri më 21 prill do të organizohet fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave, të cilat do të mbahen më 23 prill.

/Shqip.com