Sport Ndërkombëtar

Fury-Usyk, meçi më i shtrenjtë në histori të boksit

Promotori Bob Arum ka zbuluar se pengesa e vetme e mbetur për zhvillimin e luftës për kampionin e padiskutueshëm të botës në kategorinë e rëndë mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk është caktimi i vendit.

Vendi më i mundshëm ku mund të zhvillohet ky meç është Lindja e Mesme.

Arum, i cili është shef i promotorëve amerikanë të Furyt, Top Rank, ka thënë se britaniku kampion bote në WBC dhe ukrainasi që mban titujt në WBA, WBO dhe IBF, janë pajtuar për t’u përballur dhe ai pret që vendi i zhvillimit të luftës të caktohet javën e ardhshme.

Një vend i paspecifikuar në Lindjen e Mesme pritet të jetë vendi nikoqir i kësaj lufte të shumëpritur, për shkak të shumës së majme të parave që ka ofruar për të dy boksierët.

Nëse meçi dështon të zhvillohet atje, atëherë Stadiumi Wembley në Londër mund të jetë nikoqir.

“Unë jam shumë optimist se lufta do të ndodhë. Të dy boksierët janë pajtuar për të luftuar, pyetja është ku do të zhvillohet lufta. Ne jemi duke biseduar me Lindjen e Mesme sepse ata do ta ofrojnë shumën më të madhe të parave në historinë e boksit”, tha Arum.

“Dhe nëse ata e ofrojnë këtë shumë, atëherë lufta do të zhvillohet aty sepse paratë janë para. Nëse jo, atëherë të dy boksierët do të pajtohen për të luftuar në Wembley në pranverë”.

Ai shtoi: “Pra çështja e vetme është – ku do të zhvillohet lufta? Besoj se javën e ardhshme do të vendoset edhe kjo dhe do ta kemi një njoftim zyrtar për datën dhe vendin e meçit”.

/Shqip.com