Fundjavë e “nxehtë” në futbollin kosovar
Fundjava e fundit e muajit prill na sjell para ekranit xhiron e 31-të të Superligës së Kosovës në futboll, e cila në program ka disa ndeshje interesante për t’u parë.
Ndeshja kryesore pritet të luhet në Klinë, ku do të përballën Dukagjini e lideri i tabelës, Ballkani.
Në stadiumin “18 qershori”, Ballkani do të udhëtojë pas fitores së thellë 7-2 ndaj Trepçës ’89, ndërsa Dukagjini luan këtë ndeshje pas barazimit 1-1 me Llapin.
Ballkani ka synim titullin e kampionit për sezonin e dyte radhazi, gjersa Dukagjini po lufton për një vend në Evropë sezonin e ardhshëm. Ndeshja luhet ditën e diel dhe fillon nga ora 15:00.
Ndërkohë, në Gjilan, Drita do të jetë nikoqire e Ferizajt. Pas ardhjes së trajnerit të ri, Drita luan për herë të parë nën urdhërat e tij, teksa në këtë ndeshje hyn pas fitores minimale në derbi ndaj Prishtinës.
Ferizaj paraqitet në këtë sfidë pas humbjes si vendas nga Malisheva me rezultat 2-1. Ky takim zhvillohet në stadiumin me bari sintetik në Gjilan të shtunën dhe fillon nga ora 15:00.
Kjo xhiro e vë përballë skuadrën e Prishtinës me atë të Llapit, në ndeshjen që luhet në “Fadil Vokrri” të dielën.
Prishtina, e drejtuar nga Debatik Curri kërkon që t’I rikthehet fitoreve në luftë për vendin e tretë, gjersa do të sfidohet nga skuadra e Llapit, e cila po ashtu ka qëllim këtë pozitë. Ky duel zhvillohet me fillim nga ora 15:00.
Stadiumi “Riza Lushta” në Mitrovicë do të jetë nikoqir i ndeshjes Trepça ’89 – Gjilani.
Gjilani udhëton në këtë takim pas fitores minimale ndaj Drenicës javën e kaluar, teksa ’89-shi pas asaj humbje të thellë, e pësuar nga Ballkani. Kjo sfidë zhvillohet të dielën e 30 prillit, me orar të njejtë, nga ora 15:00.
Pas fitores xhiron e kaluar ndaj rivalit kryesor për mbetjë në ligë, Malisheva këtë herë luan si mysafir I Drenicës, skuadër e cila mbetet e fundit në tabelë. Kjo ndeshje luhet të shtunën e fillon në 15:00.
Tabelës së klasifikimit në elitën e futbollit kosovar I prin skuadra e Ballkanit me 61 pikë, një më shumë se Drita në vendin e dytë, gjersa në vendin e tretë është Gjilani me 46 pikë.
Zonën e barazhit e ka zënë Trepça ’89, ndërsa të rrezikuara për të rënë nga liga janë skuadra e Ferizajt dhe Drenica.
/Shqip.com