Lajme

Ftesa e Ramës për opozitën: Luftën tuaj bëjeni vetë, por uluni me ne dhe aleatët për procesin e shtetbërjes europiane

Në kuadër të punës dhe synimit për t’u anëtarësuar në BE, Edi Rama i ka bërë një ofertë opozitës për arritur një “armëpushim”, në atë që ai e quan “luftë te tyren”, për të punuar së bashku për këtë qëllim.

I vetëdijshëm se beteja me korrupsionin nuk mund të luftohet vetëm me vullnetin e tij si kryeministër dhe SPAKUN, Edi Rama i shtoi kësaj beteje edhe elementin politik, përtej kufijve të tij qeverisës.

Në emër të asaj që e quajti thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian i hapi derën opozitës, e cila numrin më të madh të deputetëve e ka të rreshtuar pro Berishës.

Sipas Edi Ramës kjo ftesë për tra përfshirë opozitën në këtë proces përmes Komisioni i Posaçëm Parlamentar, buron nga domosdoshmëria e një qasjeje kombëtare gjithëpërfshirëse në adresimin e sfidave të kësaj faze vendimtare për modernizimin e mëtejshëm të shtetit.

Thirrja ime sot për të gjithë ata që janë kundër nesh është shumë e thjeshtë besoj, ne nuk ju ndryshojmë dot juve, prandaj luftën tuaj politike vazhdojeni si ta mendoni ju, me të gjithë arsenalin e mirënjohur prej vitesh që dispononi, por le ta krijojmë një hapësirë jashtë territorit të kësaj lufte, një zonë të ndaluar për sharjet dhe sherret e kësaj jete të ulët politike ku jemi të ngërthyer secili në mënyrën e tij, një vend pune të përbashkët, me aleatët tanë strategjik Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara me ekspertizën më të mirë vendase dhe ndërkombëtare me të gjitha institucionet e pavarura, shoqërinë civile, botën akademike, grupet e interesit për të adresuar jo dallimet tona të papajtueshme politike, as interesat tona të paafrueshme partiake, por procesin e mëtejshëm të shtet bërjes europiane të Shqipërisë duke analizuar me sa më shumë objektivitet të gjitha hallkat e shtetit në këtë fazë të re, si dhe identifikuar hapa që duhen marrë dhe masa që duhen ndërmarrë”, tha Rama.

Përfshirjen e opozitës në këtë proces Edi Rama e shikon në shërbim të shtet-formimit pse jo edhe ndihmë për opozitën kur të vij në pushtet.

“Tani personalisht mua dhe neve që jemi këtu dhe që na gënjen mendja që do të jemi këtu edhe 5 vjet të tjera të paktën, iniciativa na duhet për Shqipërinë e 2030, kur me ndihmën e Zotit, duam ta ngremë flamurin kombëtar në Bruksel dhe do të jetë i pari në radhën e Shteteve anëtare të Bashkimit Europian se rasti, fati e ka dashur që Albania, fillon me A, të tjerat fillojnë me gërma të tjera. Prandaj uroj që ta kuptoni këtë herë e në politike ka edhe udhëkryqe kur drejtimi për t’u marrë është i njëjtë, pavarësisht nga dallimet dhe kush refuzon ta marrë për inat të tjetrit humbet rrugën dhe harxhon shumë kohë për tu kthyer po aty. Eksperienca juaj duhet t’ju thotë diçka për këtë“, tha kreu i shtetit.

Këtë bashkëpunim me opozitën në formën e një rezolute e lexoi Elisa Spiropali ministre për mardhëniet me parlamentin.

Thelbi është përfshirja e Parlamentit në këtë proces me fokus thellimin e reformave për përmirësimin e mëtejshëm të mirëqeverisjes, fuqizimin e luftës ndaj korrupsionit.

Të përmirësojë rolin e tij ligjvënës, monitorues dhe mbikëqyrës në funksion të mirëqeverisjes në të gjitha nivelet, ekzekutive dhe ligjbërëse, qendrore e vendore.

Kjo sipas rezolutës do të realizohet përmes një vlerësimi / analize të situatës në këto fusha si dhe hartimin e një Plani Kombëtar Veprimi, me kohështrirje afatgjatë,.

I gjithë procesi që do të ndërmerret dhe mbikëqyret nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar dhe në asnjë mënyrë nuk do të cënojë kuadrin ekzistues kushtetues e ligjor për ngritjen e institucioneve të pavarura të drejtësisë.

/Shqip.com