Sport Shqiptar

FSHF tregon nominimet për mbrëmjen gala, Redon Xhixha, Xhuliano Skuka dhe futbollisti nga Kosova “luftojnë” për “Topin e Artë 2022”

Mbrëmja gala e Federatës Shqiptare të Futbollit “Më të Mirët 2022” do të jetë momenti kulmor i një viti kalendarik ku do të vlerësohen protagonistët kryesorë të futbollit, djem dhe vajza, të cilët kanë shkëlqyer me paraqitjet e tyre në fushën e blertë.

FSHF ka përgatitur gjithçka për një mbrëmje festive, ku nuk do të mungojë programi artistik e ku do të jenë të pranishëm të ftuar specialë së bashku me më të mirët e futbollit.

Sakaq, fituesit e çmimeve janë përzgjedhur nga vetë protagonistët e futbollit shqiptar pas një procesi të gjatë e transparent votimi të udhëhequr nga FSHF e që ka nisur prej kohësh.

Fituesit do të shpallen gjatë mbrëmjes, ndërkohë që po ju njohim edhe me të nominuarit për çdo kategori. Për çmimin “Topi i Artë 2022” të nominuarit janë: Xhuliano Skuka, futbollisti nga Kosova, Mentor Mazrekaj dhe Redon Xhixha, ndërsa për “Topin e Artë 2022” për vajza finalistet janë: Sara Maliqi, Esmeralda Franja dhe Megi Doçi.

Dy trofetë ‘Këpuca e Artë 2022’ për djem dhe vajza do të shkojnë për golashënuesit më të mirë të vitit, ndërsa për çmimin “Trajneri i Vitit 2022” kandidaturat janë: Mirel Josa, Shpëtim Duro dhe Orges Shehi. “Talenti i Vitit 2022” do të shpallet njëri mes Simon Simonit, Arinaldo Rrapajt dhe Rejan Alivodës, tre prej lojtarëve të rinj që janë paraqitur mjaft mirë vitin e kaluar. Kurse për çmimin “Talentja e vitit 2022” janë në garë: Rosela Vasa, Gelda Kadiolli dhe Xhesika Ndoj.

/Shqip.com