Lajme

Fronti Europian hap fushatën në Saraj, Bajrami: Sot jemi bashkë që të kemi edhe Presidentin shqiptar!

Në sheshin “Isa Boletini” në Saraj të Shkupit u hap Shtabi Komunal i Frontit Europian për zgjedhjet presidenciale të 24 prillit dhe parlamentare të 8 majit.

Para një numri të madh qytetarësh programin dhe vizionin e frontit e shpalosën eksponentë të partive politike të koalicionit.

Kandidati për deputet në njësinë e parë zgjedhore, Naim Bajrami nga ASH tha se kemi qenë bashkë kur u bë kryeparlamentari i parë shqiptar, kemi qenë bashkë kur u bë kryeministri shqiptar, dhe tani jemi bashkë për presidentin e parë shqiptar.

“Jo vetëm partitë politike shqiptare, por është momentin historik që edhe komunitetet tjera, si romët, turqit, boshnjakët për ti bashkërenditur forcat me ne sepse kanë parë se shqiptarët tanimë janë faktor i pakontestueshëm politik. Kështu do të vazhdojmë fuqishëm së bashku”, tha Bajrami.

Të pranishëm ishin, zëvendës kryeministri Artan Grubi, bartësi i listës për deputet në Njësinë Zgjedhore numër I, Blerim Bexheti, kandidati për deputet Ilir Hasani, Rafiz Haliti, deputeti Arben Ziberi, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Naim Bajrami, kryetari i komunës së Studeniçanit, Azem Sadiki, kandidatja për deputete Hatixhe Topalli, kryetari i Lidhjes Demokratike Boshnjake dhe kandidat për deputetë Munir Kolashinac, kryetari degës së BDI-së Çair, Bekim Neziri dhe eksponentë të tjerë të “Frontit Europian”.

Zëvendës kryeministri, Artan Grubi, theksoi se opozitën që e kemi përballë, ne të gjithë këtu bashkë për të bërë projekte, rrugë, shkolla, çerdhe, ujësjellës, kanalizim, autostrada, Korridor 8, Bashkim Europian, miqësi me Amerikën…

“Çfarë kanë ato përballë nesh? Të behemi bashkë ta rrënojmë Ali Ahmetin. Bëhemi bashkë ta rrënojmë BDI-në. Bëhemi bashkë ta prishim mitin e UÇK-së. A kanë diçka tjetër, ndonjë program, përveç se ta rrëzojmë Ali Ahmetin dhe BDI-në, ta prishim Marrëveshjen e Ohrit dhe të gjitha të arriturave që i kemi bërë? Gjitha komunitetet që na janë bashkuar kanë parë të arriturat që i kanë arritur shqiptarët dhe atë që e ka bërë Ali Ahmeti me shokë për shqiptarët, tash do e benë edhe për boshnjakët, turqit, romët, por edhe për vet maqedonasit do i çon në Europe. Ju e dini atë haxhia i cili thotë: “Amerikës, ujit, rrymës dhe këtij Fronti mos i dil përpara se të shkel”, përfundoi Grubi fjalën e tij.

Bartësi i listës, Blerim Bexheti potencoi se ashtu siç është e konceptuar marrëveshja e Ohrit, tani ne shqiptarët kemi kapacitetin që të bartim me vete, të ecim krahë për krah edhe me boshnjakët, turqit, romët etj.

“Ky bashkim, ky unifikim nuk është më vetëm për të drejta politike, pasi që ato në masë të madhe shqiptarët, nga mandati në mandat kanë arritur që ti realizojnë. Ky mandat dhe mandat që do jenë tani e tutje para nesh kanë të bëjnë edhe me aspektin ekonomik, kulturor, social. Vota juaj fillimisht për kandidatin për president Dr.Bujar Osmani është përcaktim i rrugës për fitoren e madhe të 8 majit. Ne kemi vizon, nuk kemi dal para jush që të shajmë dhe ofendojmë”, tha Bexheti.

Ilir Hasani tha se Saraji çdo herë është renditur në rrugën e drejt, andaj, u shpreh ai, edhe kësaj radhe “Fronti Europian” do të shënojë fitore.

“Deri më sot ne si parti politike si Bashkim Demokratik për Integrim kemi vepruar të vetme dhe ja kemi dal për 22 vite në fund punës që e kemi premtuar, në 22 vjet nuk kemi humbur asnjëherë. Për në 22 vite ja kemi dalë që ti mbajmë premtimet tona, duke filluar nga pushteti lokal dhe pushteti qendror, ndërsa sot të gjithë gëzohemi me Talat Xhaferin, me komandantin më të mirin të cilin sot e kemi edhe kryeministër”, tha Hasani.

/Shqip.com