Lajme

Frashër Krasniqi dhe aktivistët e LVV-së lirohen nga akuzat për sulm ndaj Kuvendit

Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi, janë liruar nga akuza për terrorizëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Siç raporton Betimi për Drejtësi, Krasniqi, Batusha, Haliti dhe Arifi, akuzoheshin se janë përgjegjës për sulmin në Kuvendin e Kosovës në gushtin e vitit 2016, që është kualifikuar si vepër terroriste.

Sipas aktgjykimit, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi lirohen nga aktakuza, pasi nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale në fjalë.

Tutje, gjykatësi Ismaili ka treguar në pika të shkurtra ecurinë e rastit, duke thënë se lidhur me këtë rast ky trup gjykues në rigjykim ka mbajtur 13 seanca, janë dëgjuar më shumë se 11 dëshmitarë, janë administruar provat materiale, të cilat janë propozuar nga Prokuroria Speciale dhe shtoi se as pas dëgjimit të deklaratave të dëshmitarëve nuk është arritur të provohet fajësia e të akuzuarve.

Këtë rast, fillimisht e kishte gjykuar gjykatësi Beqir Kalludra, por pas avancimit të tij në Gjykatën e Apelit lënda ka kaluar tek gjykatësi Kushtrim Shyti, e më pas përfundimisht këtë lëndë e gjykoi gjykatësi i Departamentit Special, Vesel Ismaili.

Gjykatësi Kalludra, më 27 nëntor të vitit 2017, kishte shpallur fajtorë katër të akuzuarit, duke i dënuar me 21 vjet e gjashtë muaj burgim, në seancën e parë pasi rasti ishte në rigjykim, më 4 mars 2020, ish-mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Tomë Gashi, kishte kërkuar përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Beqir Kalludra, mirëpo kjo kërkesë ishte refuzuar.

Ish-deputeti Frashër Krasniqi ishte dënuar me 8 vjet burgim, Atdhe Arifi ishte dënuar me 6 vjet burgim, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë si dhe Adea Batusha me 2 vite.

Pas ankesave në Gjykatën e Apelit, kolegji i instancës së dytë gjyqësore, kishte vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë është bërë me shkelje ligjore dhe e kishte anuluar të njëjtin dhe në këtë mënyrë, lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Ndaj katër aktivistëve të Vetëvendosjes, PSRK-ja ka ngritur aktakuzë, katër muaj pasi të njëjtit, bashkë me tani të ndjerin Astrit Dehari, u arrestuan si të dyshuar për sulmin e 4 gushtit 2016, ndaj objektit të Kuvendi të Kosovës, por që Dehari kishte vdekur në nëntor të vitit 2016 në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit duke pasur për qëllim, që Kuvendi i Kosovës të detyrohet të mos ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi dhe me këtë rast, të shkaktojë frikësim serioz të popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës së pasigurisë tek qytetarët e Kosovës, më datë 4 gusht 2016, rreth orës 23:05 nga parkingu përballë Kuvendit të Kosovës me raketahedhës dore kanë kryer sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës

/Shqip.com