Franca “nuk do t’i mirëpresë migrantët” nga Lampeduza

Franca nuk do ta mirëpresë asnjë migrantë që shkon në atë shtet nga Lampeduza italiane, ka thënë ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin.
Ai i ka bërë këto deklarata pasi ishulli mesdhetar i Lampeduzës ka regjistruar rekord të migrantëve në të ditët e fundit.
Rreth 8.500 persona kanë shkuar aty me 199 anije në mes të së hënës dhe të mërkurës së javës së kaluar, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim.
Kjo situatë e ka shtyrë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen që të udhëtojë atje të dielën, dhe ta prezantojë planin urgjent të veprimit.
Sipas Darmaninit, Parisi i ka treguar Italisë se është “i gatshëm të ndihmojë në kthimin e njerëzve në vendet me të cilat ka marrëdhënie të mira diplomatike”, duke marrë shembull Senegalin.
Mirëpo ai ka thënë se Franca, “nuk do t’i mirëpresë migrantët”.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni u ka bërë thirrjeve parterëve të Bashkimit Evropian që të tregojnë më shumë përgjegjësi.
Numri i migrantëve që kanë arritur së fundi në Lampeduza është i barabartë me gjithë popullsinë e atij ishulli italian.
Këto zhvillime kanë nxitur debat të zjarrtë në Francë lidhur me migrimin.
Disa parti politike janë duke i bërë presion Parlamentit francez që të hartojë një projektligj që parasheh marrjen e masave për arritjet e migrantëve të rinj në këtë shtet.
Franca pritet të përballet me thirrjet e Papa Françeskut për më shumë tolerancë ndaj migrantëve, gjatë një vizite që pritet ta zhvillojë kreu i Selisë së Shenjtë në Marsejë, më vonë gjatë javës. /REL
Ai do të takohet atje me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe pritet ta organizojë një meshë me dhjetëra mijëra pjesëmarrës në një stadium.
/Shqip.com