Lajme Botë

Franca merr zyrtarisht për gjashtë muaj drejtimin e Presidencës së BE-së

Flamuri i Francës dhe i Bashkimit Evropian.

Më 1 janar zyrtarisht Franca ka marrë kryesimin për gjashtë muaj të Presidencës së Bashkimit Evropian, përcjell Shqip.com.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka bërë thirrje për një Evropë më të fortë, sovrane si dhe të bashkuar, teksa tash e një kohë ka kërkuar që BE të jetë fuqi më e fortë botërore, duke shtuar se 27 vendet anëtare duhet të jenë më të bashkuara, raporton REL.

“Unë do të thosha se ne duhet të kalojmë nga një Evropë me bashkëpunim brenda kufijve tanë në një Evropë më të fuqishme në botë, plotësisht sovrane, e lirë në zgjedhje të saj”, kishte thënë Macron në dhjetor të vitit 2021.

Një nga propozimet e Francës në Presidencën e BE-së është që të rritet “Sovraniteti strategjik” i bllokut evropian që do ta lejonte të vepronte më e pavarur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kur në është në interesat e BE-së.

Po ashtu, ai tha se dëshiron që të avancojë përparimin në kapacitetet e përbashkëta të mbrojtjes në mënyrë që BE të mos varet nga siguria e SHBA-së, teksa zyrtarët amerikanë dhe evropianë kanë thënë se “sovraniteti strategjik” dhe projektet e mbrojtjes nuk janë zëvendësues të Aleancës Veri-Atlantike (NATO).

Ndër prioritetet e tjera përfshihet edhe rritja e pagës minimale në bllok, më shumë rregulla për gjigantët digjitalë, taksa për karbon, mbrojtja e mjedisit dhe ndryshime në rregullat e deficitit buxhetor të BE-së.

Franca po planifikon që të mbajë një samit të BE-së në Paris më 10 dhe 11 mars, pak para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në Francë – të cilat pritet të mbahen në prill./SHQIP.com