Lajme

Franca i dhuron Kosovës 117 mijë vaksina Pfizer

Vaksina Pfizer

Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se Franca i ka dhuruar Kosovës 117 mijë vaksina të llojit Pfizer kundër Coronavirusit.

Ajo ka deklaruar se angazhimi institucional për luftimin e pandemisë është fuqizuar përmes përkrahjes së partnerëve dhe aleatëve të vendit, shkruan Shqip.com.

“Franca, dhe njëherë përgjatë këtij rrugëtimi sfidues, u dëshmua si një vend mik e solidar. Në emër të qytetarëve tanë, dua ta falenderoj Presidentin Macron dhe popullin francez për donacionin me 117,000 vaksina Pfizer. Një kontribut i duhur, në një kohë të duhur”, ka shkruar presidentja në Facebook.

Presidentja Vjosa Osmani gjatë takimit me përfaqësues të Francës

Më tej ajo ka shtuar se qytetarët duke u vaksinuar kundër Coronavirusit, kanë treguar “nivel të lartë të përgjegjësisë kolektive e vetëdijesimit”.

“Siç u dëshmua në vende të tjera, doza e tretë është e domosdoshme për ta parandaluar një valë të re infektimesh”.

“Në prag të festave të fundvitit, dhurata më e mirë që mund t’i bëni vetes dhe më të dashurve tuaj është ruajtja e shëndetit tuaj. Andaj, ju lutem, vaksinohuni!”, ka shkruar presidentja Osmani./Shqip.com