Lajme

FOTOLAJM/ Berisha mban fjalim për mediat nga dritarja e Kryesisë së Kuvendit

Pamjet e deputetit të opozitës, Flamur Noka teksa kapërcente kangjellat për të hyrë në Kryesinë e Kuvendit janë bërë virale. Disa nga deputetët e opozitës nuk u lejuan nga Garda të hynin brenda Kryesisë së Kuvendit për shkak se u përjashtuan nga punimet e Kuvendit pas incidenteve gjatë seancës plenare të ditës së enjte.

Pavarësisht nga bllokimi që iu bënë efektivët e Gardës, deputetët e PD e gjetën rrugën si të hynin brenda Kryesisë së Kuvendit. Pasi Flamur Noka kaloi kangjellat, Ervin Salianji, Bledjon Nallbati dhe Isuf Çelaj hynë nga dritarja.

Ndërkohë, ish-kryeministri Sali Berisha ishte brenda Kryesisë në ato momente.

Në njërën prej dritareve të komisioneve të Kuvendit, Berisha doli dhe dha një prononcim për mediat. “Nuk ka ndodhur në historinë e botës që deputetët të futen nga dritarja, kjo tregon fytyrën e Ramës”, tha Berisha.

Opozita nuk përjashton asnjë hap, por ju e shihni që ajo po bën një betejë me një vendosmëri, e cila e futi parlamentin në klandestinitet. E futi parlamentin në klandestinitet në kundërshtim të hapur me rregulloren e tij. Sot parlamenti i Shqipërisë funksionon në Zoom, i cili parashihet në gjendje të jashtëzakonshme dhe në pandemi, asnjëherë tjetër. … Opozita, ju garantoj se do vazhdojë betejën e saj gjer në fitoren e sigurt të kauzës së drejtë. E provuan sot, sot mbyllën dyert në aktin më të turpshëm në histori për deputetët imunitarë, për të ardhur në zyrën e tyre. Ata u futën nga dritarja, dështuan. Në historinë e botës nuk ka një rast të tillë. Kjo është fytyra e vërtetë e Edi Ramës”, tha Berisha.

Megjithë përpjekjet e opozitës për të bllokuar funksionimin e Parlamentit, mazhoranca i mblodhi online komisionet parlamentare.

/Shqip.com