Lajme

FOTO / Sulmet ruse shkatërrojnë shtëpi dhe plagosin dy civilë në Harkiv

Zjarrfikësit pranë një shtëpie të djegur si pasojë e sulmeve ruse në rajonin e Harkivit, Ukrainë, 10 maj 2024.
Zjarrfikësit pranë një shtëpie të djegur si pasojë e sulmeve ruse në rajonin e Harkivit, Ukrainë, 10 maj 2024.

Ukraina i shkatërroi të gjithë 10 dronët me të cilët Rusia e sulmoi gjatë natës, por dy njerëz u plagosën dhe disa shtëpi banimi u dogjën në rajonin e Harkivit si pasojë sulmeve, thanë zyrtarët ukrainas të premten.

Forcat Ajrore të Ukrainës thanë në një komunikatë në Telegram se Rusia i shkrepi edhe dy raketa kundërajrore.

Zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, Illya Yevlash, tha se Rusia me gjasë i përdori këto raketa për ta sulmuar qytetin verilindor të Ukrainës, Harkiv.

Dy shtëpi duke u djegur në rajonin e Harkivit, Ukrainë, si pasojë e sulmeve ruse më 10 maj 2024.

Oleh Sinehubov, guvernatori i rajonit të Harkivit, tha se tre shtëpi banimi u dogjën dhe dhjetëra të tjera u dëmtuan si pasojë e sulmeve ruse gjatë natës.

Ai shtoi se cak i sulmeve ishin infrastruktura dhe zonat e banimit.

Në fotografitë që Sinehubov i postoi në Telegram mund të shihen shtëpi banimi të përfshira nga zjarri.

Dy njerëz, përfshirë një fëmijë 11 vjeç, pranuan ndihmë mjekësore, tha Sinehubov.

Zjarrfikësit pranë një shtëpie të djegur si pasojë e sulmeve ruse në rajonin e Harkivit, Ukrainë, 10 maj 2024.

Pavarësisht provave dhe dëshmive, Moska e mohon se në shënjestër të sulmeve të saj janë objektivat civile.

Rusia e ka nisur pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Perëndimi është përgjigjur duke ndërmarrë një varg sanksionesh kundër saj, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim. /REL

/Shqip.com