Lajme

FOTO/ Mbërrijnë në Shqipëri helikopterët “Black Hawk”

Dy helikopterët Black Hawk mbërritën në vendin tonë.

Prej ditës së sotme forcat ajrore shqiptare do të kenë në arsenalin e tyre helikopterët më të famshëm luftarakë amerikanë. Ata u transportuan nga SHBA me avion ushtarak amerikan.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se ky është një investim shumë i rëndësishëm për Forcat tona të Armatosura.

“Mirënjohje e veçantë për partnerin tonë strategjik #SHBA për mbështetjen e tyre të vazhdueshme! Mbrojtja dhe siguria e vendit tonë, prioriteti ynë absolut!“, shkruan Peleshi në Facebook.

Edhe ambasada amerikane në Tiranë ka vlerësuar partneritetin mes Shqipërisë dhe SHBA në fushën e mbrojtjes. Ambasada e SHBA thotë se këta helikopterë do të ndihmojnë Forcat Ajrore të Shqipërisë.

“Mbërritje historike e helikopterëve të parë UH-60 Black Hawk të Shqipërisë. Një avion transportues C-17 i Shteteve të Bashkuara erdhi sot në Tiranë për të dorëzuar porosinë e parë të Shqipërisë për helikopterë Black Hawk, mbështetur me mbi 50 milionë dollarë nga fondet e ndihmës së SHBA. Helikopterët e rinj do të ndihmojnë në forcimin e aftësive të forcave ajrore të Shqipërisë dhe aftësinë për të kryer evakuim mjekësor, rikuperim të personelit, misione kërkim-shpëtimi, si dhe mbështetje të lëvizjeve logjistike të NATO-s për operacione dhe stërvitje. Shtetet e Bashkuara janë krenare për partneritetin e fortë me Shqipërinë në fushën e mbrojtjes”.

Black Hawk është helikopter kryesor i transportit dhe sulmit ajror i ushtrisë amerikane me ngritje mesatare.

Ai është i pajisur me dy motorë dhe me dy helika me nga katër tehe.

/Shqip.com