Lajme Botë

Fosili i “T Rex”, më i shtrenjti në botë – me shtëpi të re

Skeletoni i T-Rexit -"Stan"

Stan, skeleti më i kompletuar në botë i tiranosaurusit rex, u shit për 31.8 milionë dollarë në vitin 2020 – çmimi më i lartë i paguar ndonjëherë në ankand për një fosil.

Shitja ishte e diskutueshme dhe blerësi nuk u zbulua kurrë. Paleontologët kishin frikë se fosili 67 milionë-vjeçar do të humbiste përgjithmonë nga shkenca.

Në fillim të këtij viti, disa menduan se Dwayne “The Rock” Johnson ishte pronari i tij i ri kur një kafkë e T. rex u shfaq pas tij gjatë transmetimit të shfaqjes përfundimtare të “ManningCast” të sezonit të këtij viti të NFL.

Sidoqoftë, doli të ishte një kopje.

Tani misteri më në fund është zbardhur. “T-Rex”, i gjatë 11.7 metra do të jetë një atraksion në një muze të ri të historisë natyrore që pritet të hapet në vitin 2025 në Abu Dhabi, raporton ‘CNN‘.

Muzeu i Historisë Natyrore në Abu Dhabi, aktualisht në ndërtim e sipër, do të vendoset në distriktin kulturor Saadiyat të emiratit, e cili do të jetë gjithashtu shtëpia e “Luvrit Abu Dhabi” dhe “Guggenheim Abu Dhabi”.

“Tani që ‘Stan’ ka një shtëpi të re në Muzeun e Historisë Natyrore në Abu Dhabi, ky dinosaur 67 milion-vjeçar do të jetë në kujdesin e shkencëtarëve ekspertë dhe do të vazhdojë të kontribuojë në edukim dhe kërkime dhe të frymëzojë eksploruesit e ardhshëm.” tha Departamenti i Kulturës dhe Turizmit në Abu Dhabi në një njoftim për shtyp.

Gjithashtu, një copëz e meteorit “Murchison” do të jetë gjithashtu pjesë e koleksionit të muzeut të ri. Ai u rrëzua në Australi më shumë se 40 vjet më parë dhe përmbante materialin më të vjetër të zbuluar në Tokë.

Eshtrat e para të skeletonit u gjetën në formacionin “Hell Creek” që përfshin pjesë të Montanës, Dakotës Veriore dhe Jugore dhe Wyoming, në 1987 nga Stan Sacrison, një paleontolog amator për të cilin është emëruar.

Kafka e tiranosaurusit rex “Stan”

Fillimisht u identifikuan gabimisht si kocka Triceratopsit, dhe u shtrinë të patrazuara deri në vitin 1992, kur paleontologët e vizituar kuptuan origjinën e tyre të vërtetë.

Studiuesit tani kanë një vlerësim se sa shumë “T-Rex” dikur endeshin në Tokë.

Më pas u deshën më shumë se 30,000 orë punë fizike për të gërmuar dhe restauruar skeletin.

Studiuesit kanë gjetur që atëherë se “Stan” i mbijetoi një thyerje të qafës gjatë jetës së tij, pas së cilës dy nga rruazat iu shkrinë së bashku.

Ka edhe shenja të plagëve të shpuara në kafkën e tij dhe në një brinjë që mund të jenë shkaktuar nga një tjetër “T- Rex”.

“Stan” do të kishte peshuar 7 deri në 8 ton, rreth dy herë më shumë se elefanti i sotëm afrikan dhe dhëmbët e tij më të gjatë janë afër 28 centimetra. /Shqip.com