Lajme

Formohet grupi ​punues për trajtimin e qenve endacakë në Prishtinë

Grupi Punues i qenve endacakë

Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se është themeluar grupi punues për trajtimin e qenve endacakë në kryeqytet.

Sipas njoftimit, grupi punues do të përbëhet nga Komuna e Prishtinës, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës, Oda e Veterinerëve të Kosovës, Policia e Kosovës, Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës.

“Jemi duke e trajtuar këtë çështje me seriozitetin më të lartë, duke zhvilluar strategji afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë për zgjidhjen e problemit, mirëpo për të arritur rezultatet e dëshiruara, nevojitet bashkëpunim i ngushtë dhe i mirëfilltë me nivelin qendror dhe komunat tjera të vendit”, thuhet në njoftim.

Qentë endacak në Prishtinë

Ndryshe, qentë endacakë vazhdojnë të jenë ndër problemet permanente me të cilat përballen qytetarët e Prishtinës.

Kryetari Përparim Rama kishte deklaruar se komuna si e vetme nuk mund ta zgjedhë problemin e qenve endacakë, porse një gjë e tillë mund të bëhet edhe me ndihmën e nivelit qendror./Shqip.com