Lajme

“Formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është obligim i Kosovës”

Ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa
Ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa

“Formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është obligim i Kosovës të cilit nuk mund t’i shmanget”.

Kështu ka deklaruar ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke shtuar se nuk do të ketë shumë alternativa, meqë Asociacioni parashihet me një marrëveshje që e ka ratifikuar Kuvendi.

“Vendit i mbeten dy zgjidhje: Ose duhet të mblidhet Kuvendi dhe ta abrogojë ose ta anulojë Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së parë me mbi 80 vota, me dy të tretën e votave, dhe mandej ne nuk kemi obligime juridike që ta bëjmë atë, ose duhet të punohet që të implementohet ligji për marrëveshjen e parë”, tha ai në Kohavision.

Po ashtu, ai ka folur edhe për rezultatin e zgjedhjeve lokale, duke thënë se ishte gabim që Agim Veliu u emërua ministër i Punëve të Brendshme.

Sipas tij, nëse Veliu do të ishte ende kryetar i Komunës së Podujevës, atëherë Lidhja Demokratike e Kosovës do të ishte ende duke qeverisur atje me këtë komunë.

“Ndoshta nuk është dashtë që ta bëjmë atë. Nuk është dashtë. Sepse z. Veliu ka dhënë një kontribut të madh në Podujevë. I ka fituar zgjedhjet disa herë atje. Ka qenë nënkryetar i LDK-së. Është themelues i LDK-së.

Tash ndaj z. Veliut për një periudhë të gjatë është zhvilluar një fushatë mjaft e egër ndaj tij siç është zhvilluar edhe ndaj meje, mirëpo unë konsideroj që po që se nuk do të tërhiqej z. Veliu nga atje, ne do ta kishim edhe sot Komunën e Podujevës të fituar”, është shprehur ai./SHQIP.com