Lajme

Fondi për Shkencë pothuajse joekzistent, kritika nga njohësit e arsimit

Fondi për Shkencë
Fondi për Shkencë

Vetëm 0.7% e totalit të buxhetit të vendit është ndarë për mbështetje të Fondit për Shkencë.

Ky fond është shfrytëzuar shumë pak kanë thënë për Shqip.com nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Kjo ministri ka treguar edhe arsyet investimeve kaq të vogla.

“Në buxhetin vjetor për aktivitetet që ndërlidhen me kërkimin shkencor dhe inovacionin, MASHTI ka buxhet 1 milionë e 200 mijë euro. Në 5 vitet e fundit kemi shpenzuar rreth 600-700 mijë euro për skemat e bursave PHD, grantet dhe projektet e vogla shkencore, monografitë shkencore, publikimet në revistat e indeksuara”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-it për Shqip.com

Tutje, kjo ministri ka thënë se nuk ofron grante për kompani, por buxhetin e ndanë për të mbështetur stafin e institucioneve të arsimit të lartë, të cilët kanë si punë primare kërkimin shkencor dhe avancimin e shkencës.

Megjithatë, duke u nisur nga fakti se buxheti për vitin 2023 është rreth 3.2 milardë euro, shuma e ndarë për  veprimtari shkencore, do duhej të ishte 22.4 milionë euro.

Njohësit e kësaj fushe thonë se fondi i ndarë nga MASHTI, është i pamjaftueshëm dhe se nuk janë ngritur kapacitete nga shteti për thithjen e këtyre fondeve.

“Fondi i ndarë nga MASHTI prej 1.2 milionë euro për veprimtarinë kërkimore shkencore, nuk garanton as rritje të cilësisë as përmirësimin e institucioneve kërkimore shkencore të Kosovës ndaj tregut të punës dhe në arenën ndërkombëtare. Kosova për këto 20 vite të fundit, nuk ka ngritë kapacitete për thithjen e këtyre fondeve për veprimtari shkencore dhe ky trend i mos përgatitjes stafit hulumtues edhe mos përgatitjes së stafit të MASHTI-t po vazhdon”, ka deklaruar për Shqip.com, profesori i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të UP-së, Blerim Rexha.

Blerim Rexha – Profesor në Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të UP-së

Sipas tij, është detyrë e politik-bërësve të hartojnë mekanizma nxitës edhe për ngritjen e kapaciteteve njerëzore brenda institucioneve kërkimore shkencore edhe për të aplikuar për këto fonde.

“Si pasojë e kësaj kemi fare pak interesim për aplikim për këto fonde dhe nuk shenja se ky trend do të përmirësohet”, thotë tutje Rexha.

Ndërsa, Rinor Qehaja, drejtor ekzekutiv në Institutin EdGuard, tregon se cila duhet të jetë pikënisja për zhvillimin e këtij fondi.

“Një skeme e qëndrueshme e zhvillimit profesional të hulumtuesve të rinj dhe zbatim të hulumtimeve në fushat të ndryshme duhet të jetë pikënisja për ndryshim. Zhvillimi i hulumtimit duhet të shkoj përtej thirrjeve për financim të projekteve hulumtuese”, tha Qehaja.

Rinor Qehaja – Drejtor i Institutit EdGuard

“Fondi për shkencë duhet të kapitalizohet në përfitim për shoqërinë. Mos shfrytëzimi i fondit në plotëni është dëshmi për mungesë të interesimit dhe kapaciteteve hulumtuese. Është e rëndësishme që institucionet të nxisin për rritje të hulumtimit si indikatorë matës i performancës së çdo institucioni publik të arsimit të lartë”, shton tutje drejtori i EdGuard, Rinor Qehaja.

Ministria e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se këtë vit do të krijohet Fondi për Hulumtime, si fond i veçantë bazuar në Programin Kombëtar të Shkencës 2023-2028, që pritet të miratohet së shpejti.

Kjo ministri ka bërë të ditur se investimi në fondet për shkencë kanë qenë të pakta (rreth 0,1%) dhe të pamjaftueshme për një zhvillim të dukshëm të shkencës e inovacionit.

/Shqip.com