Lajme

“Fondi i 3 përqindëshit”, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi, dënohen me nga 3 vjet burgim

Gjykata Themelore në Prishtinë
Gjykata Themelore në Prishtinë

Naser Osmani, ish-deptuet i LDK-së, dhe Atdhe Gashi, i cili në të kaluarën ka qenë këshilltar i ish-kryeministrit në ekzil, Bujar Bukoshi, janë dënuar me nga tre vjet burgim, për rastin e Fondit të 3 përqindëshit.

Kështu bëri të ditur Gjykata Themelore e Prishtinës.

“I akuzuari Naser Osmani është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej tri vjet, për veprën penale ‘shpërdorimi’ nga neni 257 paragrafi 3 lidhur me paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPK-së, i cili dënim do ekzekutohet në afat 15 dite nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi. I akuzuari Atdhe Gashi është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej tri vjet, për veprën penale ‘shpërdorimi’’ nga neni 257 paragrafi 3 lidhur me paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPK-së, i cili dënim do ekzekutohet në afat 15 dite nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, me vendim të Gjykatës, ata janë të obliguar t’i kthejnë 255 mijë e 398 euro e 41 cent, në afat prej 15 ditë “në afat prej 15 dite prej plotëfuqishmërisë së këtij aktgjykimi në buxhetin e Republikës së Kosovës”.

Po ashtu sipas njoftimit “Refuzohet akuza për të akuzuarit N.O dhe A.G për veprën penale Shmangia nga Tatimi nga neni 249 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për shkak të kalimit të afatit të parashkrimit absolut të veprës penale”.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

/Shqip.com