Ekonomi

“Fluturojnë” çmimet e vezëve, Inspektorati nis kontrollet

Lajmi me Audio

Vargut të ngritjes së çmimeve, nuk u kanë shpëtuar as vezët, një prej produkteve më të përdorura në Kosovë.

Një pako me 30 copë vezë, ka pësuar rritje të vazhdueshme, duke arritur në mbi 5 euro për një kohë.

Një menaxhere në një prej marketeve në Prishtinë, ka thënë për SHQIP.com se çmimi para ditës së martë, ka qenë 5 euro e 15 cent.

Kjo sipas saj, ka ndikuar në rritjen e ankesave nga ana e konsumatorëve.

“Kjo nuk varet nga ne si kompani as si menaxhment, por nga firmat për të cilat edhe ata i kanë arsyejet e tyre. Çmimi ka pasur ndryshime për çdo muaj dhe për këtë kemi pasur ankesa nga konsumatorët. Ka pas nga ata që vezët i kanë lënë të arka dhe janë larguar duke ofenduar, por prapë nuk është diçka që varet nga ne. Aksione kemi sa herë që firmat e shohin të arsyeshme që ta bëjnë, por në bashkëpunim me ne”.

Kompanitë vendëse gjejnë fajtorin

Drejtuesit e kompanisë më të madhe në tregun kosovar për prodhimin e vezëve “Konsoni”, kanë deklaruar për Shqip.com se ndryshim i çmimeve ka ndodhur për shkak të rritjes së çmimit të lëndës së parë.

“Rritja e çmimit të vezëve ka ndodhur që nga muaji gusht. Faktori kryesorë që ka ndikuar në rritjen e çmimeve, po ashtu ka ndikuar edhe rritja e çmimit të lëndës së parë. Një ton misër më herët ka qenë 160-170 euro, kurse tash është 330 deri në 400 euro. Këtu në çmim hynë edhe paketimi i veçantë që u bëhet vezëve, që kap një kosto diku 30/40 cent më shtrenjtë”, kanë deklaruar, nga Kompania.

Ai tha se nga të gjitha firmat tjera, “Konsoni” ka çmimin më të ulët, por kjo vlen edhe nëse krahasojmë Kosovën me vendet në rajon.

“Na jena vendi ma i lirë në rajon. Në Shqipëri 30 vezë kushtojnë 6 euro, në Maqedoni dhe Serbi është 5 euro e tutje”

Rritja e çmimeve ka sjellë edhe shtim të ankesave të konsumatorëve.

Inspektorati i Tregut në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka bërë të ditur se janë duke shqyrtuar ankesat dhe se do marrin masa sipas ligjeve në fuqi.

“Inspektorati i Tregut, që vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka pranuar informacionet për ngritje të çmimeve të disa produkteve, përfshirë edhe vezët. Inspektorati i Tregut posa i ka marrë informatat, menjëherë ka bërë inspektime te disa operatorë ekonomikë, të cilëve iu është kërkuar dokumentacioni lidhur me furnizimet me produktet vezë. Pas analizimit të dokumentacionit dhe shkaqeve të ngritjes së çmimeve, Inspektorati i Tregut do të veprojë sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Pikërisht nisja e aksioneve të kontrollit nga Inspektorati i Tregut ka reflektuar menjëherë.

Nga marketet kanë bërë të ditur se çmimi është ulur menjëherë sapo drejtuesit e marketeve kanë kuptuar se Inspektorati i Tregut ka nisur aksionin e kontrolleve.

ASK: Çmimi aktual i vezëve 4.49 euro

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimi i këtij produkti është rritur vazhdimisht.

Në fund të vitit 2021, vlera e një pakoje me 30 vezë kishte çmimin prej 3.06 euro.

Ndërkohë, çmimi në fund të vitit të kaluar, ishte 4.25 euro.

Sipas të dhënave të ASK-së, nga data 6 deri më 10 janar të këtij viti, vlera e 30 copë vezëve, arriti në shumën prej 4.49 euro.

/Shqip.com